Politike
Blushi rrëfen mankthet e Metës: Dumani kishte mercenarë në Partinë e Lirisë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar ashpër në Debat me Alba Alishanin në lidhje me arrestimin e presidentit të kësaj force, Ilir Meta.
Teksa dënoi “rrëmbimin e dhunshëm” të ish-kreut të Shtetit, Blushi hodhi akuza të rënda duke u shprehur se aksioni mund të ketë qenë dhe një tentativë për eliminuar fizikisht Ilir Metën.
“Pamjet e shpërndara nga struktura struktura kriminale SPAK dhe narko-policia tregojnë rrëmbimin e një ish presidenti. Cfarë e dallon një terrorist nga një polic? Të dy të maskuar, të dyja mbajnë armë, i dallon identifikimi, por ata nuk kishin. Kemi të bëjmë me një akt terrori, show gangsterësh për të vënë në jetë një skenar të vënë në jetë nga struktura kriminale e SPAK. Një task forcë kriminale në funksion të narkoshtetit që ka guximin të rrëmbejë ish presidentin e republikës.
Kam qenë në kontakt me presidentin dhe Artemis Pecën të cilët janë terrorizuar. U rrëmbyen në mes të ditës pa u identifikuar. Aty mund të ketë pasur një skenar për eliminimin fizik të Ilir Metës. Imagjinojeni që të ishin dhe punonjësit e Gardës së Republikës. Presidenti nuk ka pasur nevojë të ruhet nga Garda. Ai ka dalë nëpër rrugë i pashoqëruar. Ai nuk ka konsumuar asnjë krim. Mëkati i vetëm është që ka qenë një ndër patriotët më të pashembullt”, tha Blushi në A2.
Në lidhje me akuzat e ngritura nga Struktura e Posaçme, Blushi i cilësoi ato të pabaza dhe akuzoi këtë institucion dhe kreun e saj Altin Dumani se ka pasur “mercenarë” të infiltruar brenda Partisë së Lirisë, por pa përmendur emra.
“Nuk ka asnjë akuzë. Mbi çfarë faktesh. Këto janë akuza të fabrikuara. Meta ka firmosur për herë të fundit 24 vite më parë. Ka qenë kryetar kuvendi, president, çfarë tenderësh mund të ketë firmosur. Partinë tonë nuk e rrëmbejnë dot. Dumani ka pasur mercenarë brenda Partisë së Lirisë. Këto i ka bërë publike dhe vetë Meta. A u agresua kjo seli nga mercenarët e SPAK. A ka pasur një tentativë për të marrë kamerat e partisë? SPAK sot shpalli asgjësimin. Është një Bin Laden i quajtur Dumani. Ai është një vegël. Është një dosje e fabrikuar”, tha Blushi.
TEMA