Politike
Ilir Meta: Ja pse u tërbova kur më arrestuan. Kisha frikë mos më rrëmbenin
Ilir Meta, gjatë intervistës së dhënë nga burgu për Panorama, ka treguar dhe pse e detyroi policinë ta nxirrte zvarrë nga makina.
“Ai nuk ishte arrestim, por rrëmbim i mirëfilltë, ashtu siç veprojnë vetëm bandat. Si mund të inskenohet për minuta të tëra bllokimi i trafikut në një nga akset kryesore të hyrjes në kryeqytet nga dhjetëra forca me maska, me armatim të rëndë dhe me makina private, të cilat bënin veprime fiktive sikur kontrollonin makinat e qytetarëve për të ardhur si banditë te makina ku udhëtoja unë bashkë me sekretarin për organizimin të Partisë së Lirisë, Artimis Peca?!
Sjellja e tyre ishte banditeske, rrugaçërore duke hyrë me forcë në automjet bashkë me automatikët me maska në kokë, pa pranuar të identifikohen se kush janë, se çfarë përfaqësojnë dhe pa paraqitur asnjë dokument ligjor apo shkresë zyrtare që urdhëronte ndalimin tim. Ndaj unë refuzova të pranoja rrëmbimin, duke besuar se mund të ishin edhe banditë si ata që rrëmbyen ish-kryeministrin e Italisë, Aldo Moro.
Edhe ata me uniforma policie e bënë rrëmbimin. Me gënjeshtrat e pacipa se unë kam ushtruar dhunë duan vetëm të justifikojnë paligjshmërinë ekstreme, dhunimin e Kushtetutës dhe të ligjit, por edhe të vetë urdhrit për “arrest” të SPAKut.
Po kështu, ata prangosën dhe rrëmbyen edhe sekretarin për organizimin të PL, Artimis Peca, për të cilin nuk kishte pasur asnjë urdhër ndalimi. Njëkohësisht ata nuk na lejuan të kontaktojmë me avokatët dhe nuk na njohën me të drejtat tona sipas ligjit. Vetëm pas 2 orësh në Drejtorinë e Policisë, m’u dha vendimi gjyqësor, ndërsa Artimis Peca u lirua pasi nuk kishte asnjë vendim.
Pra, ata kafshë, se punonjës policie s’mund t’i quash, po të kishin qenë edhe dy persona të tjerë në makinë me mua, do t’i kishin arrestuar po njësoj si Artimisin, pra për “qejf”. Ky është rrumpallështeti i Edi Ramës, që nuk do ta ketë të gjatë. Sikur të silleshin kështu me bandat narkopolicët e Edi Ramës, nuk do ndodhnin tragjedi si kjo e Shkodrës”, tha Meta.