Kosova
Plagosi 4 persona/ Policia arrestoi personin e gabuar, vetëdorëzohet autori
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë, ku një person ka qëlluar me thikë 4 kalimtarë të rastit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kosovës, ku të lënduara kanë mbetur 2 vajza të mitura dhe 2 djem, të moshave 29 dhe 32-vjeçare. Si i dyshuari kryesor për ngjarjen, u vendos në prangai Ekrem Sadiku, i cili është liruar paraditen e sotme, pasi Policia doli në përfundimin se nuk ka lidhje me ngjarjen. Ky i fundit u arrestua pasi i përngjante profilit të autorit të vërtetë të ngjarjes.
Kështu që në pranga ka përfunduar personi i identifikuar me inicialet F.I., 62-vjeç. Madje, ky i fundit është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë.
Lajmin e ka konfirmuar për ‘Gazetën Sinjali’, Shukri Jashari, kryeprokurori i Ferizajt.
“Personi që fillimisht është dyshuar – nuk ka qenë ai – është zbuluar gjatë hetimeve. Sot është arrestuar personi kryesor i dyshimit. Arrestimi i tij ka ndodh në orën 04:00 të mëngjesit. Personi i parë i arrestuar dhe i liruar dhe ky që është arrestuar sot – nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin,”– tha Jashari.
Ndërsa për të plagosurit ka folur mbrëmë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Janë katër të lënduar, dy në gjendje më të rëndë. Një vajzë ka qenë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, por pas intervenimit të mjekëve dhe futjes në sallën operative, gjendja e saj tash është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Personi tjetër në gjendje të rëndë është duke u trajtuar në kliniken emergjente dhe mund të ndodh se edhe ai mund të ketë nevojë për një ndërhyrje kirurgjike. Një person tjetër është transferuar në Klinikën Maksilofaciale dhe gjendja e tij është stabile. Kurse personi tjetër ka marrë ndihmën në spitalin e Ferizajt dhe është jashtë rrezikut për jetën dhe tashmë është liruar në shtëpi,”- tha ministri Vitia.