Kosova
Gjeneral Kunja hedh kunja/ Kosova nuk është histori e përfunduar
Gjenerali portugez Raul Cunha, ish-zyrtar i lartë i KFOR-it dhe këshilltar ushtarak i ish kreut të UNMIK-ut, Joakim Riker, tha Kosova nuk është fundi i historisë dhe se askush nuk po përpiqet tE gjejë një zgjidhje paqësore. Sipas tij, një zgjidhje paqësore është e mundur vetëm me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të kërkonte formimin e asociacionit.
Ai u shpreh se problemi më i madh për momentin është se askush nuk dëshiron një zgjidhje paqësore të konfliktit, e cila është e mundur vetëm nëse Beogradi dhe Prishtina pranojnë marrëveshjen e plotë.
Pohimet e diplomatëve evropianoperëndimorë se formimi i asociacionit nuk është më “kusht i të gjitha kushteve” për Kosovën, Kunja i konsideron të gabuara dhe se nuk respektojnë lëshimet që Serbia ka bërë deri më tani.
“Nëse dikush nga Bashkimi Evropian e thotë këtë, atëherë është gabim. Nëse thonë se nuk është kërkesë, atëherë është serish gabim. Ata duhet të kuptojnë se nëse asociacioni është kusht, është një lëshim i madh i Serbisë për sovranitetin e saj. Por për një zgjidhje paqësore, kjo është rruga, rruga drejt një zgjidhjeje paqësore. Në fund të fundit, ato komuna do të jenë garanci e paqes”, saktësoi Kunja.
Gjenerali portugez ka qenë në Kosovë në disa raste, si pjesë e KFOR-it dhe UNMIK-ut. I pyetur se si e vlerëson punën 25 vjecare të të dy misioneve, ai theksoi se problemi kryesor është se ata nuk kanë filluar punën në përputhje me mandatin e besuar dhe se problemi është se as Marrëveshja e Kumanovës dhe as Rezoluta 1244 e KS të OKB-së nuk janë zbatuar plotësisht.
Ai gjithashtu beson se në atë kohë janë marrë vendime që kanë keqinterpretuar përgjegjësitë e misionit të UNMIK-ut.