Aktualitet
Legalizim pa vonesa/ ASHK ndihmon qytetarët të regjistrojnë pronësinë për ndërtimet pa leje
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) po përshpejton procesin e legalizimeve, duke siguruar të drejtën e pronësisë për qytetarët mbi ndërtimet pa leje. Gjatë tre muajve të fundit, ASHK ka emetuar 3000 vendime legalizimi, duke reduktuar pritjen dhe duke përmbushur angazhimin ligjor për formalizimin e pronësisë.Ky progres është pjesë e zbatimit të Ligjit nr. 20/2020, i cili përcakton vitin 2028 si afatin përfundimtar për proceset kalimtare të pronësisë.
Me mbështetjen e bashkive, ASHK po identifikon zonat prioritare dhe po përshpejton procedurat e verifikimit në terren dhe plotësimin e dosjeve.
Për regjistrimin e vendimit të legalizimit, qytetarët mund të aplikojnë përmes portalit e-Albania, pas përfundimit të afatit 30-ditor për ankime administrative. Aplikimet mund të kryhen lehtë për shërbimet si:
• “Regjistrimin e kalimit të pronësisë me anë të ligjit (R2)”
• “Lëshim Certifikate Pronësie (L1)”
• “Lëshim kopje kartele të pasurisë (I5)”
• “Lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale (I4)”
ASHK mbetet e angazhuar për përshpejtimin dhe lehtësimin e procedurave në shërbim të qytetarëve dhe respektimin e afateve ligjore.