Connect with us

Bota

Netanyahu hap thesin e luftës: 5 milionë dollarë për këdo që sjell një peng izraelit

Të paktën 15 palestinezë janë vrarë si pasojë e sulmeve nga forcat izraelite në Rripin e Gazës. Mes viktimave është një punonjës shpëtimi, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Banorët lokal bëjnë me dije se tanket izraelite depërtuan thellë në zona të banuara dhe hodhën në erë shtëpitë. Autoritetet palestineze bëjnë me dije se të paktën 10 persona mbetën të zhdukur, ndërsa operacionet e shpëtimit vijuan.

Ndërkohë, marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në Gaza nuk është akoma e mundur. Grabitja e afro 100 kamionëve me ndihma në Gaza nga persona të armatosur ka përkeqësuar një krizë tashmë të rëndë ushqimore.

Sakaq, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nga Gaza paralajmëroi se Hamasi nuk do të mund të sundojë më enklavën palestineze pas përfundimit të luftës dhe se Izraeli kishte shkatërruar aftësitë ushtarake të grupit islamik:

“Ndodhem këtu, në plazhin e Gazës, me ministrin e Mbrojtjes, shefin e shtabit, kreun e Shin Bet, si dhe komandantët dhe ushtarët tanë heroikë, të cilët po bëjnë një punë të mrekullueshme këtu. Në qendër të Rripit dhe në të gjitha pjesët e Rripit, ata kanë arritur rezultate të shkëlqyera në qëllimin tonë të rëndësishëm: Hamasi nuk do ta sundojë Gazën. Ne po i eliminojmë aftësitë e tij ushtarake në një mënyrë shumë mbresëlënëse. Hamasi nuk do të jetë në Gaza”.

Netanyahu tha gjithashtu se Izraeli nuk kishte hequr dorë nga përpjekjet për të gjetur 101 pengjet e mbetura që besohet se janë ende në enklavë dhe ofron një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kthimin e secilit.

“Unë u them edhe atyre që duan të dalin nga ky labirint: Kushdo që na sjell peng do të gjejmë një rrugë të sigurt që ata dhe familjarët e tyre të dalin, do të japim edhe një shpërblim prej pesë milionë dollarësh për secilin. Ti zgjedh, zgjedhja është e jotja, por rezultati do të jetë i njëjtë. Do t’i sjellim të gjithë”, deklaroi Netanyahu.

Komentet e Netanyahut u bënë me anë të një video incizimi gjatë vizitës së tij në Gaza me ministrin e mbrojtjes të Izraelit dhe kreun e ushtrisë së tij, ku ai mori gjithashtu një informim mbi aktivitetet operacionale.

Advertisement