Aktualitet
Qarkullimi rrugor në Tiranë futet në kolaps, trafiku kthehet në makth për shoferët
Lëvizja me makinë në Tiranë duket se është kthyer në një makth për të gjithë shoferët në çdo orë të ditës për shkak të trafikut të rënduar.
Situatë tepër e rënduar ka qenë edhe ditën e sotme, ku duhet të shpenzoje orë për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna, apo për problemet e tjera që do të duhej të lëvizje në kryeqytet, pasi pothuajse të gjitha akset rrugore kanë patur një mbingarkesë me automjete.
Trafiku më i rënduar ka qenë gjatë orëve të mëngjesit, gjatë mesditës midis orës 13:00 dhe 15:00, si dhe këtë mbrëmje.
Njëri krah i rrugës së Elbasanit, nga rrethrrotullimi i Saukut e deri te “Xhuxhat”, thuajse ka qenë i bllokuar tërësisht.
Kryqëzimi i spitalit Nënë Tereza gjatë gjithë ditës së sotme ka qenë tepër i rënduar dhe vijon të jetë gati i bllokuar, duke shkaktuar probleme edhe për rrugën e Xhamllikut dhe të “Dibrës” drejt Kinostudios.
Të rënduara nga trafiku janë edhe disa akse të Unazës së Vogël, përgjatë bulevardit Bajram Curri deri te “Piramida”. Rruga e Kavajës është thuajse e paralizuar, sipas të dhënave satelitore “live” nga Google dhe aplikacione të tjera.
Trafik i rëduar ëshët edhe në Unazën e Madhe, në dy skajet e saj, në zonën e Selitës dhe Paskuqanit.
Gjithashtu, edhe trafiku në hyrje të Tiranës nga autostrada e Durrësit, nuk bën përjashtim as sot.
Pavarësisht prezencës së efektivëve të Rrugores në disa prej akseve dhe kryqësimeve kryesore, sërish trafikut nuk i është dhënë zgjidhje.
Duket se moti i keq dhe lëvizjet e shtuara me rastin e festave të fundvitit kanë ndikuar në rëndimin e trafikut në Tiranë, përveç problemeve ekzistuese si rrugë të ngushta, të amortizuara, mungesë e parkingjeve e të tjera.