Ekonomi
Rama ndan pamje nga kantieri i shëtitores së Sarandës/ Nga 3 D në realitet, gati verën e ardhshme
Rivitalizimi urban i shëtitores “Naim Frashëri” Sarandë do t’i japë një tjetër dimension zhvillimit turistik në jug të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video me pamje nga ky kantier punimesh, që do ta kthejë shëtitoren në një hapësirë publike shumëfunksionale në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit veror.
“Mirëmëngjes. Të shkosh në Sarandë dhe të mos bësh dot një shëtitje në një hapësirë të gjerë buzë detit? Boll më, koha për ta bërë”, tha Rama.
Kryeministri premtoi se verën e ardhshme Saranda do të ketë një shëtitore perlë.
“Ju jap fjalën me video që verën e ardhshme ju pret një shëtitore perlë. Hidhini një sy projektit me poshtë, në rrugën nga 3D në realitet”, tha Rama ndërsa ndau videon.
Punimet e filluara më 4 mars 2020 dhe të ndërprera për shkak të pandemisë, rinisën në qershor dhe po ecet me ritme të mira për ndërtimin e kësaj shëtitoreje.
Shëtitorja e Sarandës do të ketë plotësisht pamjen dhe parametrat e një Lungomare. Projekti parashikon edhe restaurimin e fasadave në gjithë gjatësinë me qëllim përmirësimin e estetikës.
Gjithsesi në shëtitore do të mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj./m.m/