Connect with us

Aktualitet

“Do më vrasin, më ndihmoni!”/ Vajza tregon ç’dëshmoi tek pallati në Astir: Ajo goca vetëm bërtiste

Një vajzë telefonoi sot Policinë duke kërkuar ndihmë pasi e kishin rrëmbyer. Vajza, e cila është 20 vjeçe dhe e identifikuar me inicialet S.Q. telefonoi Policinë duke pretenduar se disa persona e kishin dhunuar.  Menjëherë pallati u rrethua nga RENEA, por pas disa orësh negociata, vajza nuk e hapi derën. Në këto kushte, uniformat blu zgjodhën që të futeshin nga dritarja. Një dëshmitare që ishte në vendngjarje në momentin kur ndodhi ngjarja e rëndë ka përshkruar me detaje se çfarë ndodhi.

Vajza, në videon e publikuar, shprehet se dëgjoi disa zhurma para se të vinte Policia, dhe disa persona po debatonin. Më pas, ajo dëgjoi të renë që kërkonte ndihmë dhe nga ana e tjetër e derës thoshte “do më vrasin, më ndihmoni”. Më tej, dëshmitarja shprehet se forca të shumta të policisë mbërriten në vendngjarje, së bashku me ta dhe babai e daja i vajzës. Ajo shprehet se sipas personave që kishin apartamentin, ai ishte dhënë me qira ditore dy djemve, por deri më tani nuk ka asnjë informacion rreth personave të përfshirë.

“Në të njëjtin kat jepen me qera dhe disa apartamente ditore, Airbnb dhe në njërin prej tyre ishte dhe një vajzë ne po dëgjonim disa zhurma sikur po ziheshin, por më vonë ra zilja, erdhën dy policë dhe na thanë a keni dëgjuar zhurma këtu afër se ishin ankuar banorë. Gjatë kohës që po i thoshim, po kemi dëgjuar, u dëgjuan të bërtitura të qara që thoshin “do më vrasin, më ndihmoni”. Fillimisht erdhën Policët e Rendit që na pyetën, por pastaj ngaqë nuk po e hapnin derën, ajo goca vetëm bërtiste, këta i thonin “hape është policia”, e kishin kyçur derën nga të dyja anët. Pastaj u lajmëruan Shqiponjat, erdhën furgona policie, ambulanca, zjarrfikëse, rrethuan pallatin. Erdhi babai dhe daja i gocës dhe po i luteshin që ta hapte derën, ajo biseda me të atin ishte… Tani fjalët që thoshte ajo goca ishin shumë të paqarta, disa herë dukej sikur ishte me njerëz të tjerë aty brenda, disa herë dukej sikur ishte vetëm, mund të kishte paranoja, nuk e di. Thoshin ata që kishin dhënë shtëpinë, se e kishin marrë dy çuna me qera ditore, nuk e di shumë e paqartë. Erdhi FNSH dhe RENEA dhe ne ikëm se do ta shpërthenin shtëpinë, a kishin hyrë me litarë, nuk e di se çfarë ka ndodhur”, tha ajo.

E reja u shpreh se ishte ishte dhunuar dhe mbyllur në një apartament nga disa persona. Pasi 20-vjeçarja është nxjerrë nga banesa, Policia gjeti në apartament një jelek antiplumb; 2 armë zjarri; alkool dhe shenja që linin të kuptohej se është konsumuar edhe lëndë narkotike.

E reja ka qenë në prani të disa personave të tjerë, të cilët më pas janë larguar pasi ajo ka telefonuar Policinë, ndërsa dëshmia e saj ende nuk është zbardhur për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Por, po sipas Policisë, nga pamja e parë, e reja nuk ka pasur shenja dhune në trup ndryshe nga sa ka pretenduar kur telefonoi efektivët

Advertisement