Rajon
Histeri në Serbi pas dënimit të Dodikut/ Kriza mund të çojë në luftë

Dënimi i presidentit ultra-nacionalist të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka nxitur reagime nga funksionarët e lartë në Serbi, të cilët e kanë cilësuar këtë ngjarje si “krizën më të madhe që nga përfundimi i luftës” në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, dhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, kanë kritikuar ashpër vendimin e gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, duke e cilësuar “jodemokratik dhe të paligjshëm” dhe të drejtuar kundër popullit serb.
Daçiçi ka theksuar se dënimi i Dodikut përbën “krizën më të madhe që nga përfundimi i luftës” në vitin 1995, duke konsideruar rezultat të “një sulmi të përgjithshëm të Sarajevës dhe disa fuqive perëndimore” ndaj entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë.
Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e ka dënuar të mërkurën Dodikun me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës, duke nisur nga dita kur hyn në fuqi vendimi. Pak pas marrjes së vendimit për Dodikun, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kishte thirrur seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Aleksander Vulin, nga ana tjetër, ka pretenduar se përpjekjet për të shkaktuar një “revolucion me ngjyra” janë skenare të orkestruara nga shërbimet perëndimore të inteligjencës që, sipas tij, synojnë të destabilizojnë Serbinë. Gjithashtu, ai ka shtuar se vendimi për dënimin e Dodikut është pjesë e “përpjekjeve për destabilizimin e Ballkanit”.
Ndryshe, pavarësisht histerisë së zyrtarëve shtetërorë në Beograd, në rast se vendimi ndaj Dodikut mbetet i pandryshuar dhe merr formë të prerë, ai jo vetëm që do të humbasë postin e presidentit, por do t’i ndalohet gjithashtu edhe ushtrimi i çdo funksioni publik në Bosnje dhe Hercegovinë për një periudhë prej gjashtë vitesh.

