Connect with us

Bota

Kina në gjah për mundësi në Evropë dhe Tajvan pas përçarjeve transatlantike

Pas një jave të ngjeshur diplomatike dhe diskutimeve se si mund t’i jepet fund luftës në Ukrainë, të cilat kanë rritur dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe fuqive perëndimore, si dhe kanë ngritur pikëpyetje për ndihmën amerikane për Ukrainën, Kina është duke analizuar mënyra si mund të përfitojë nga gjithë këto zhvillime. Për Pekinin, përçarjet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë – e fundit e nxitur nga diskutimi i nxehtë në Zyrën Ovale mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky – përbëjnë mundësi të reja për përmirësim të marrëdhënieve me Evropën.

Diçka e tillë mund të ketë ndikim edhe në Azi, pasi vendet që janë të lidhura me Uashingtonin, sikurse Tajvani, janë duke u përballur me implikimet e një SHBA-je më transaksionale.

Një situatë e tillë mund të forcojë Kinën në atë rajon, e cila vazhdimisht përpiqet t’i shtrijë më shumë rrënjët në Paqësor.

“Nuk ka dilema që kjo ka qenë gjë e mirë për Kinën”, ka thënë Andrew Small, hulumtues i lartë në Fondin Gjerman Marshall në Berlin, i cili paraprakisht e ka këshilluar Komisionin Evropian për strategjinë rreth Kinës, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Pekini beson se mund të përfitojë shumë nga kjo situatë, duke nisur nga kontingjentet në Tajvan, e deri te një bashkëpunim më i madh me Rusinë, që do të nënkuptonte një SHBA të dobësuar”.

Si mund të përfitojë Kina nga ndryshimi i politikës amerikane?

Kina veçse është interesuar për të kontaktuar me Brukselin dhe kryeqytetet tjera evropiane, para zhvillimeve të fundit në Uashington, të cilat rezultuan me largimin e Zelenskyt nga Shtëpia e Bardhë, pa e nënshkruar marrëveshjen e rëndësishme për minerale.

Përmes këtyre përpjekjeve, diplomatët kinezë janë munduar që t’i shfrytëzojnë shqetësimet lidhur me synimet e SHBA-së që t’i rivendosë marrëdhëniet me Rusinë dhe të përfundojë shpejt luftën në Ukrainë – duke braktisur kështu aleatët evropianë – kanë thënë tre zyrtarë të Bashkimit Evropian, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Pekini, i cili është deklaruar neutral, por e ka mbështetur Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, është duke tentuar të përfitojë edhe më tepër nga mosmarrëveshjet transatlantike, përfshirë planet e Trumpit që të godasë BE-në me tarifa prej 25 për qind, për të cilat Brukseli është zotuar se do të kundërpërgjigjet.

Small beson se kinezët janë ende në fazën e “gjetjes së fakteve” për të kuptuar se çfarë mund të përfitojnë në këtë kontekst.

“Gjithçka që Kina do të çojë përpara do të shihet me skepticizëm”, ka thënë ai.

“Por, Pekini beson se do të ketë përfitime pas fazës së parë, sidomos nëse nisin të zbatohen tarifat”.

A dëshiron Kina që të jetë paqebërëse në Ukrainë?

Në Konferencën e Sigurisë në Munih, të mbajtur në shkurt, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka thënë se Kina beson që të gjitha palët duhet të marrin pjesë në bisedimet për paqe, duke vënë në pah rolin e Evropës. Këto deklarata janë bërë para takimit mes zyrtarëve të SHBA-së dhe Rusisë në Riad, në të cilin nuk janë ftuar zyrtarë evropianë, dhe as ata nga Kievi.

 

Advertisement