Connect with us

Kosova

Vjosa Osmani: Trupat e NATO-s, garanci për sigurinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia po vazhdon të cenojë paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin.

Në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Osmani ka theksuar se prania e trupave të NATO-s në Kosovë mbetet shumë e rëndësishme për t’u ballafaqur me këto kërcënime.

“Serbia, fatkeqësisht, vazhdon të minojë përpjekjet për paqe dhe stabilitet përmes veprimeve hibride, grupeve kriminale dhe propagandës së vazhdueshme, e mbështetur edhe nga Rusia dhe faktorë të tjerë dashakeq. Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe gjithë rajonin.Prania e trupave të NATO-s nuk është vetëm një garanci për sigurinë tonë, por edhe një barrierë kundër çdo përpjekjeje për cenimin e paqes dhe stabilitetit, për të cilin kemi punuar dhe sakrifikuar së bashku për një kohë të gjatë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka nënvizuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm një interes shtetëror, por edhe një domosdoshmëri strategjike si edhe ka vlerësuar se tashmë ka ardhur koha që Kosova ta ketë vendin e saj në NATO.

“NATO-ja është themeluar mbi vlera që përfaqësojnë edhe themelet e shtetit tonë, prandaj edhe synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO nuk është thjesht një interes shtetëror, por një domosdoshmëri strategjike për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në gjithë kontinentin evropian”, ka potencuar Vjosa Osmani.

 

 

Advertisement