Connect with us

Aktualitet

Berisha prezanton kandidatët për Elbasanin: Më 11 maj merr fund dimri 12-vjeçar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në qytetin e Elbasanit, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se këto zgjedhje do të shënojnë një moment të rëndësishëm për Shqipërinë.

Ai inkurajoi mbështetësit dhe qytetarët që të angazhohen për këtë proces zgjedhor, duke theksuar se është koha për ndryshim dhe për t’i dhënë fund një periudhe të gjatë vështirësish.

Berisha shprehu besimin se me përkrahjen e popullit, Partia Demokratike do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme dhe do të sjellë një qeverisje më të mirë për shqiptarët.

“Tre javë më parë unë isha në qytetin e bekuar të Elbasanit për të festuar bashkë me ju festën tuaj dhe të gjithë shqiptarëve, Ditën e Verës, ditën e shpresës, ditën e ndërrimeve të mëdha.

Sot unë rikthehem sërish në këtë qytet për të dhënë mesazhin se këtë vit Elbasani dhe mbarë Shqipëria do të kenë një ditë të dytë vere dhe kjo do jetë 11 maji. 11 maji do të jetë dita e përfundimit të dimrit më të gjatë 12-vjeçar që përjetuan shqiptarët.

11 maji do jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. 11 maji do jetë dita kur rrezet e diellit do shkëlqejnë në Elbasan dhe në mbarë Shqipërinë.

Për Elbasanin madhështor dhe Shqipërinë madhështore të 4 viteve që vijnë. Elbasani është një qytet i mrekullueshëm. Elbasani historikisht ka qenë qytet i gjallërisë, i kulturës, i vlerave, i dijes, i prodhimit. Pra ka qenë një qytet me trashëgimi tejet të çmuar. Në 12 vitet e Edi Ramës, Elbasani u shkretua më shumë se në çdo pushtim, më shumë se në çdo luftë”, tha Berisha.

Advertisement