Connect with us

Politike

Marta Kos: Shqipëria mund t’i tregojë Ballkanit se si me punë arrihet në BE

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka përgëzuar Shqipërinë për ecurinë tepër të mirë me negociatat e anëtarësimin dhe ka thënë qartësisht se vendi mund t’i tregojë të gjithë Ballkanit Perëndimor se si me punë, arrihet anëtarësimit.

Kështu tha ajo gjatë një konference për shtyp së bashku me ministrin e Jashtëm polak, Radoslaw Sikorsi dhe me kryeministri shqiptar, Edi Rama, në përmbyllje të Konferencës së katërt Ndërqeveritare, e cila u quajt si “shumë e suksesshme” për vendin.

Sipas Kos, negociatat po ecin me një ritëm shumë të shpejtë dhe kjo tregon angazhimin e Qeverisë shqiptare për të qenë e vendosur në rrugën e anëtarësimit.

Pritshmëria është ajo që brenda vitit 2027 të mbyllen kapitujt negociues dhe më tej të ketë një vendimmarrje politike brenda 2030-ës për anëtarësimit, siç e përmendi edhe Kos.

Por, mbi të gjitha, ajo tha se suksesi shqiptar, mund t’i tregojë gjithë Ballkanit Perëndimor se si me punë dhe përkushtim arrihet në Bashkimin Evropian.

Një agjendë shumë ambicioze e ka quajtur kryeministri shqiptar, Edi Rama, atë të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Por, falë angazhimit të vendeve anëtare dhe falë udhërrëfyesit të Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, ai ka bindjen se brenda vitit 2027, jo vetëm gjithë kapitujt do të hapen, por edhe do të mbyllen.

Kreu i Qeverisë shqiptare foli gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm polak, Radoslaw Sikorsi dhe komisioneren Kos, pas Konferencës së katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

“Isha këtu kur hapëm grupkapitullin e parë, gjashtë muaj më parë dhe më tej të gjashtin. Sot jemi këtu për të dytin”, përmendi Rama në fillim.

Ai u shpreh shumë mirënjohës për Presidencën polake dhe angazhimin e palëkundur për procesin.

Teksa, shumë mirënjohës u shpreh edhe për gjithë vendet e Bashkimit Evropian për mbështetjen e tyre.

“Për ne duket e mahnitshme se sa shpejt po ecën procesi. Kemi rënë dakord për një agjendë shumë ambicioze”, vijoi Rama më tej.

Nga ana tjetër, Sikorski, i cili kryesoi Konferencën e katërt Ndërqeveritare BE-Shqipëri, deklaroi se takimi ishte “shumë i suksesshëm”.

Sipas Sikorski-t, Shqipëria mbetet një partner i besueshëm në fushën e sigurisë.

“Unë përgëzoj Shqipërinë për faktin që është një partner i besueshëm në fushën e sigurisë. Unë i përgëzoj veçanërisht qytetarët e Shqipërisë, sepse konferenca e sotme shënon një hap shumë të rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, theksoi kryediplomati polak.

Takimi shërbeu për hapjen e negociatave me Tiranën zyrtare për Grup-kapitujt e dytë “Tregu i brendshëm”, duke përfshirë Kapitujt e parë (lëvizja e lirë e mallrave), e dytë (liria e lëvizjes së punëtorëve), e tretë (e drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime), e katërt (lëvizja e lirë e kapitalit), e gjashtë (e drejta e kompanive), e shtatë (ligji i pronësisë intelektuale), e tetë (ligji për mbrojtjen e konkurrencës), e nëntë (shërbimet financiare) dhe 28-të (mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit).

Advertisement