Politike
‘Do kenë banesa me kredi të butë’/ Berisha premton: Programi ynë është ‘çdo çift, një çati’

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bisedë online me qytetarë ka prezantuar disa nga pikat kryesore të programit të PD për zgjedhjet. Berisha u ndal veçanërisht te çështjet e strehimit dhe pronësisë, ku premtoi se çdo çift i ri do të përfitojë një banesë përmes kredive të buta, duke e bërë të mundur strehimin e tyre pa barrë të rëndë financiare.
Kreu i PD deklaroi se çështja e pronave do të zgjidhet përfundimisht brenda mandatit të parë, duke theksuar se të gjitha legalizimet do të jenë falas dhe lejet ekzistuese do të kthehen në tapi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re. Berisha njoftoi gjithashtu edhe uljen drastike të taksave mbi sipërfaqet e ndërtimit dhe për ndërtimin e ndërtesave sociale me çmime të arsyeshme për qytetarët.
“Çdo çift i ri do të ketë banesë lehtësisht, me kredi të butë. Brenda mandatit të parë do të zgjidhet përfundimisht çështja për pronat. Të gjitha legalizimet do të jenë falas dhe lejet e legalizimit do të kthehen në tapi në 100 ditët e para të qeverisë së ardhshme. Ne bëjmë legalizim para urbanizimit, legalizimi do të jetë falas dhe çdo legalizim që keni, do njihet si tapi. Kabineti i PD do jetë me përfaqësim mbarëkombëtar. Por krahas kësaj, ne kemi edhe dy projekte të tjera për strehimin e shqiptarëve, për lehtësimin. Së pari, ulim me të paktën 10 herë taksat që merren sot mbi sipërfaqen e ndërtimit. Taksat llogariten me vlerën e shitjes, ato do llogariten me vlerën e projektit. Dhe në këtë kontekst, në qoftë se sot ndërtuesi paguan taksë 100 gjer në 300 euro për metër katrorë, do paguajë 2 deri në 8 euro për metër katror. Ky është zotimi ynë, çka do të reflektohet direkt në taksa. Së treti, ne do ndërtojmë ndërtesa sociale me qëllimin e vetëm dhe kryesor që t’u japim mundësi shqiptarëve të strehohen me çmime të arsyeshme,”-u shpreh Berisha.
Në bashkëbisedimin e tij me qytetarët, Berisha u shpreh se fëmijët me diagnozë autizmi do të përjashtohen nga detyrimi për t’u paraqitur çdo vit në KEMP. Ai theksoi se një diagnozë e tillë nuk duhet të jetë pengesë për fëmijët, duke i dhënë mundësinë për të ecur përpara, përfunduar shkollën dhe u integruar në shoqëri. Berisha shtoi se mbështetja e familjes, shkollës dhe komunitetit është e nevojshme për të arritur këtë, dhe se ka një moment në të cilin fëmijët autik mund të festojnë normalitetin e tyre, duke iu afruar bashkëmoshatarëve.
Në lidhje me përbërjen e qeverisë së ardhshme, ai u shpreh se kabineti i Partisë Demokratike do të ketë përfaqësim mbarëkombëtar, duke garantuar përfshirjen e përfaqësuesve nga të gjitha trevat e vendit.

