Kosova
Vjosa Osmani: Tani është koha që NATO t’i hapë dyert për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj para Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke theksuar rolin vendimtar dhe historik që aleanca ka luajtur në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, dhe kontributin e vendit të vogël ballkanik ndaj sigurisë rajonale e vlerave euroatlantike, ka bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës.
“Tash është detyrë e NATO-s të hapë dyert e saj për partnerë si Kosova, e cila ka kontribuar prej kohësh në mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta në dobi të sigurisë globale. Pra, ashtu siç qëndron flamuri ynë i bukur në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, shpresoj që njëjtë të ndodhë edhe kur bëhet fjalë për anëtarësimin në NATO”.
Ajo ka potencuar gjithashtu se Kosova tashmë ka përmbushur pragun prej 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje, në përputhje me standardet e NATO-s, duke shtuar se synimi është që shpenzimet të dyfishohen. “Të jemi të aftë ta mbrojmë paqen tonë të fituar me shumë mund është misioni ynë më i rëndësishëm”.
Institucionet e Kosovës duan t’iu bashkohen strukturave të NATO-s, duke filluar nga Partneriteti për Paqe (PfP). Por, duke qenë se në NATO janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e Kosovës drejt përmbushjes së këtij synimi madhor strategjik vlerësohet tejet e vështirë, por jo edhe e paarritshme.

