Connect with us

Kosova

Vuçiçi falënderon Macronin për mbështetjen e dialogut me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka falënderuar presidentin francez, Emmanuel Macron, për angazhimin e tij personal në mbështetjen e Serbisë në procesin e integrimit evropian dhe në dialogun me Kosovën, gjatë një takimi me emisarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Trocaz, të martën në Beograd.

“E përsërita se Serbia mbetet një partnere e përgjegjshme dhe konstruktive në të gjitha proceset që synojnë ruajtjen e paqes dhe prosperitetit si për qytetarët tanë ashtu edhe për të gjithë rajonin. Ne pajtohemi që dialogu i hapur dhe bashkëpunimi janë çelësi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar presidenti serb në llogarinë e tij.

Në të njëjtën kohë, ai ka theksuar se Serbia i kushton rëndësi të madhe “bashkëpunimit strategjik dhe miqësisë tradicionale” ndërmjet Serbisë dhe Francës. “Vlerësoj veçanërisht mesazhin e zotit Trocaz se Bashkimi Evropian duhet të integrojë me shpejtësi vendet e rajonit në mënyrë që të sigurojë stabilitetin afatgjatë të Evropës”.

Ndryshe, bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Serbisë është forcuar vitet e fundit, duke përfshirë edhe fushën e mbrojtjes. Një nga hapat më të kontestuar ka qenë marrëveshja për blerjen e aeroplanëve të sofistikuar luftarakë “Rafale” nga Serbia, përkundër kontekstit të rënduar të sigurisë në rajon për shkak të tensioneve Kosovë-Serbi.

Advertisement