Ekonomi
Hapet tenderi për Parkun Fotovoltaik të Spitallës, Rama: Projekt strategjik për Durrësin dhe Shqipërinë e vitit 2030
Parku foltovoltaik në zonën e Spitallës është pjesë e një mozaiku që jetëson vizionin tonë për Durrësin dhe Shqipërinë e 2030.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e hapjes së ankandit për ndërtimin e parkut fotovoltaik, në Spitallë të Durrësit.
Duke e cilësuar hapjen e ankandit një event shumë të rëndësishëm, Rama tha se ky park lidhet drejtpërdrejtë me zhvillimin e një zone që ka gravitet strategjik për ekonominë dhe turizmin, asaj të Durrësit.
Kryeministri u shpreh se “ky park është një element i rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e një zone që ka një gravitet strategjik për ekonominë dhe turizmin e vendit tonë që është zona e Durrësit, ku përmes këtij procesi i hapet rruga ndërtimit të një tjetër parku foltovoltaik përveç atij të Karavastasë për të cilin ka përfundar edhe procesi jo i thjeshtë i nënshkrimit të të gjitha aspekteve të kontratës dhe së shpejti do të fillojë puna për kantierin e parë të energjisë diellore në Shqipëri”.
“Ky park është pjesë e një mozaiku që jetëson vizionin tonë për Durrësin e 2030 dhe patjetër vizionin tonë për Shqipërinë e 2030 sepse kjo zonë që ka qenë e parë si periferi ku ka pasur hapësirë vetëm për ndërtime kaotike të atyre që kanë lëvizur nga zonat më të thella drejt qëndrave urbane, faktikisht, me këtë park ne po bëjmë vetëm hapin e parë. Hapat e tjerë fillojnë me lagjien e re të rindërtimit, shkollat e reja që po ndërtohen, dhe ndërkohë portin e ri të mallrave për të cilin gara do të hapet së shpejti, për t’i hapur rrugën transformimit të portit të vjetër, aktual në një port turistik, për të tërhequr më shumë turistë dhe për të krijuar një kategori tjetër të turizmit, turizmin elitar”, – nënvizoi Rama.
Ndërkohë, vijoi Rama, porti i ri i mallrave për të cilin do të hapet gara ndërkombëtare do të mundësojë transferimin e aktivitetit kaq shumëvjeçar të transportit detar të mallrave në zemër të qytetit për t’i hapur rrugë transformimit të portit të vjetër në një port të madh turistik.
“Ky port do t’i japë Durrësit magnetin e fuqishëm për jo vetëm për të tërhequr më shumë turistë dhe për të krijuar një kategori të munguar të turizmit në pikëpamje të volumit që është turizmi elitar, por do të mundësojë fuqi të shtuar të Durrësit si një pikë e rëndësishme referimi në Mesdheun turistik”, – tha Rama.
Kryeministri Rama teksoi se “në këtë mozaik ne besojmë se është themelore vendosja e gurit të këtij parku fotltovoltaik, i cili vjen pas suksesit jo të vogël të arritur me ankandin ndërkombëtar të Karavastasë që pati jehonë ndërkombëtare. Mbi atë bazë do të kemi një tjetër sukses të rëndësishëm që të mund të zgjerojmë kapacitetin e prodhimit të vendit me një burim tjetër energjie diellore, por edhe me mundësinë për të marrë 70% të prodhimit për tregun e brendshëm”.
Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 Mw, nga të cilat: 70 Mw do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen afatgjatë të energjisë me çmim të paracaktuar. Pjesa tjetër, 30 Mw do të mund që të tregtohen në treg të lirë.