Shkrime
Kufijtë e vizatuar keq dhe analiza e George Friedman për lakun në fyt në Lindjen e Mesme

Nga Red Varaku
Kriza e Lindjes së Mesme dhe arsyet e vërteta të ndërhyrjes Amerikane
Në një kohë kur bota po përjeton kriza të reja në Lindjen e Mesme, zëri George Friedman mbetet ndër më realistët dhe më të drejtpërdrejtët.
Themeluesi i STRATFOR prej disa vitesh ka argumentuar pse ky rajon nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë dhe pse ndërhyrjet e fuqive të mëdha përpiqen vetëm ta menaxhojnë dhe jo ta stabilizojnë.
Sipas Friedman shumica e shteteve në Lindjen e Mesme janë ndërtuar mbi baza artificialë. Kufijtë e tyre janë vizatuar nga fuqitë koloniale pas Luftës së Parë Botërore, pa marrë parasysh ndarjet etnike, sektare apo fisnore. Prandaj, është e natyrshme që këto shtete të përjetojnë kriza të njëpasnjëshme, me luftëra civile që shpërthejnë sa herë prishet balanca e brishtë e pushtetit.
Ndryshe nga sa mendohet shpesh, Friedman nuk e sheh konfliktin palestinez si thelbin e të gjitha problemeve të rajonit. Sipas tij, shumë më të rrezikshme për rendin rajonal janë përplasjet midis Iranit, Turqisë, Arabisë Saudite dhe Izraelit për dominim politik dhe fetar për të cilat Palestina është thjesht një mjet dhe jo qëllim.
Në këtë mozaik të paqëndrueshëm, Izraeli shihet nga Friedman si një mjet i domosdoshëm për të ruajtur ekuilibrin. Aleanca e Izraelit me SHBA-në nuk është vetëm çështje historike apo ideologjike, por një nevojë strategjike për të përballuar kërcënimet që burojnë nga nga kaosi i shteteve të dështuara në rajon.
Sipas tij Irani është lojtari me potencialin më të madh për dominim rajonal. Kjo për shkak të pozicionit gjeostrategjik, popullsisë sê madhe dhe burimeve të mëdha energjetike.Për pasojë Teherani paraqet një rrezik të vazhdueshëm për interesat e SHBA-së, Izraelit dhe aleatëve të Gjirit Persik. Prandaj, çdo përpjekje amerikane në rajon synon në thelb frenimin e këtij ndikimi iranian.
Friedman argumenton se Uashingtoni nuk synon të sundojë Lindjen e Mesme. Ai vepron përmes doktrinës së “offshore balancing”, pra mbështet lojtarë lokalë për të kontrolluar njëri-tjetrin dhe ndërhyn vetëm kur balanca prishet. Prania ushtarake është mjet presioni, kurrsesi njé zgjidhje.
Si përfundim për Friedman Lindja e Mesme nuk ka për të qenë kurrë një rajon me stabilitet të qëndrueshëm. Ajo do të mbetet për dekada një zonë përplasjesh, ndërhyrjesh dhe aleancash të përkohshme, një fuçi baruti që bota e madhe përpiqet ta mbajë ‘nën kontroll’, por jo ta ‘shërojë’.
Arsyet se pse Lindja e Mesme mbahet në këtë status quo lidhen me dominimin e Eurazisë dhe ruajtjen e primatit Amerikan, teza që i shtjelluam përmes ideve të strategut Amerikan Zbigniew Brzezinski

