Rajon
Mbyllja e Kapitullit 5/ Marta Kos: Mali i Zi do të jetë anëtari i radhës i Bashkimit Evropian

Mali i Zi ka mbyllur, të premten, Kapitullin 5 – Prokurimet publike – në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit me kryeministrin malazez Milojko Spajiç në Konferencën Ndërqeveritare me BE-në, komisionerja për zgjerim, Marta Kos, e përgëzoi atë për përparimin, duke e quajtur Malin e Zi “shtetin e radhës që do të anëtarësohet në BE”.
Kos ka shprehur mbështetje të plotë për vizionin e kryeministrit Spajiç që negociatat të përmbyllen deri në fund të vitit 2026.
Ndërkaq, Spajiç tha se mbyllja e Kapitullit 5 është një dëshmi e qartë se Mali i Zi ka arritur përputhje të plotë me praktikat më të mira evropiane në fushën e prokurimeve publike, që përbëjnë një sektor kyç për ekonominë e vendit.
“Kapitulli 5 është një nga më të vështirët, krahas kapitujve 23, 24 dhe 27, por për ne është themelor. Mali i Zi ka afro një miliard euro në tenderë publikë çdo vit dhe tashmë procesi ynë është ndër më transparentët dhe i lirë nga korrupsioni”, theksoi ai.
Kryeministri malazez theksoi se progresi në fushën e sundimit të ligjit është vërejtur qartë brenda vetëm gjashtë muajsh./albaniapost

