Politike
Kërkon lirimin nga qelia/ Vijon prej rreth 2 orësh seanca për Veliajn

Shqyrtimi i rekursit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj po mbahet sot në Gjykatën e Lartë.
Në orën 12:00, trupa e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me relatore gjyqtaren Albana Boksi është mbledhur për të dëgjuar argumentet, pjesë e ankimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve, kundër masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive.
Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë, mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.

