Connect with us

Aktualitet

Çështja “Bankers”/ Prokuroria kërkoi arrest me burg për 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, Gjykata e Apelit shtyn për nesër vendimin

Gjykata e Apelit në Tiranë ka shtyrë për ditën e nesërme vendimin për masat e sigurisë ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të arrestuar për evazionin fiskal të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 10 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e “Bankers Petroleum”. Ish-drejtori Leonidha Çobo e drejtori aktual i kompanisë Hongping Xiao së bashku me zyrtarë të tjerë të kësaj kompanie, akuzohen për evazion fiskal dhe pastrim parash. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së çështjes dhe kërkesës së palëve për ruajtje të konfidencialitetit.

Përfaqësuesit e ambasadës kineze në Tiranë, që ndodheshin në ambientet e jashtme të Apelit për të ndjekur nga afër procesin, nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancë. Arsyeja për këtë është ndjeshmëria e lartë e çështjes. 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë mes tyre dhe ish-drejtori Leonidha Çobo e drejtori aktual i kompanisë Hongping Xiao, kërkuan ndryshimin e masës së “arrestit me burg”.

Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa katër persona u shpallën në kërkim.

Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit. Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50%.

Që nga themelimi në vitin 2004, kompania ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë ndërsa ka deklaruar shpenzime në masën 684 miliardë lekë, duke i shtyrë prokurorët të pyesin se cili është motivimi që pronarët e kompanisë vijojnë operacionet kur kompania del në vijimësi me humbje si dhe të ngrenë dyshime nëse pronarët, të cilët mbeten të panjohur, kanë gjetur mënyra alternative për të transferuar fitimet nga kompania.

Advertisement