Connect with us

Aktualitet

“Ç’e dua jetë?!”/ Me lot në sy, banorët shpëtojnë vetëm gjënë e gjallë! (RRËFIME)

Zjarret kanë shkrumbuar fshatrat të tërë në zonën e Gramshit dhe të Delvinës, duke bërë hi mundin dhe djersën e një jete për të gjithë banorët e këtyre zonave. Të paktën 10 fshatra janë prekur masivisht nga flakët, por fatmirësisht nuk ka viktima të tjera veç 80-vjeçarit që ndezi zjarrin dhe shkaktoi tmerrin që prej dy ditësh ka pushtuar disa nga zonat e Shqipërisë. Të “detyruar” që të largohen nga banesat e tyre, me lot në sy, banorët kanë lënë çdo gjë pas…përveç lopëve dhe bagëtive, të vetmet burime jetese. Të vetmet që do u mundësojnë që të ushqehen pasi tmerri të përfundojë.

Një e moshuar në Delvinë, ku situata nga zjarret paraqitet akoma kritike kërkoi ndihmë nga shteti. Me lot në sy ajo tregon se ka mbetur pa shtëpi. Edhe pse në moshë të thyer, u mundua që të shuante flakët, por nuk ia doli dot.

Të gjitha forcat kanë qenë këtu. U dogj shtëpia e stani. Nuk mund të them se nuk kanë qenë. Me një tubë ujë nuk mundemi dot. Sot ku janë aeroplanët që erdhën, pse u larguan. A e shove zjarrin? A ke ardhur për të ndihmuar, më ndihmo. Më zien zemra, ne e dimë se si jetojmë,”- u shpreh banorja.

Situata nuk është më e mirë në Gramsh. Edhe atje banorët e fshatrave të djegura janë evakuuar dhe para mediave tregojnë orët e tmerrit që kaluan teksa përballeshin me flakët dhe zjarrin. Disa prej tyre nuk kanë mundur që të shpëtonin as gjënë e gjallë. Kështu që, të mbetur në qiell të hapur kërkojnë ndihmë nga instancat shtetërore.

“Jam nga fshati Skënderbegas, mua më janë djegur 6 kasolle, një ndër to është një kasolle e deleve që kisha 10 kokë, kisha lopë me viçin që priste për të pjellë, dy gomarë ngarkese, të cilat janë shkrumbuar të gjitha. Banesa nuk është djegur por ka rënë një pemë në themel dhe ka rrezik për zjarr edhe aty. Sot kërkojmë ndihmë nga shteti, të na ndihmojnë. Jemi dy pleq të sëmurë. Kisha tensionin 20 sot. Unë tërhiqja burrin, burrin mua, hajde të ikim i thosha, mos të rrimë më këtu se na erdhi flaka,”-tha një e moshuar.

Një tjetër zonjë, nënë me fëmijë ka të njëjtin hall me të. Ajo tregon se ka mbetur pa shtëpi dhe e vetmja zgjidhje për të tashmë është që të kërkojë ndihmën e shtetit.

“Ne e përjetuam shumë keq. Të na ndihmojë shteti sepse shtëpinë tonë e kishim me qera dhe nuk e di nëse është djegur apo jo. Në atë moment mendova për jetën e fëmijëve dhe familjen se shtëpia dhe rregullohet. Zjarri ra në moment. Pylli ishte me pisha dhe mori flakë direkt. Më pas era i përcillte flakët në disa anë. Autoritetet kanë ndërhyrë me vonesë. Ishte e nevojshme për shumë ujë se zjarri ishte vende-vende,”- u shpreh banorja e një prej fshatrave të djegura në Gramsh.

Edhe në Nartë situata po bëhet po aq kritike! Banorët po braktisin shtëpitë që nga momenti në moment mund të përpihen nga flakët që po përhapen me shpejtësi. Me lot në sy, të dëshpëruar dhe të kapur nga paniku, edhe këto familje po kërkojnë që të shpëtojnë të vetmet pasuri që kanë: gjënë e gjallë.

“Tërë plaçkat atje i kam lënë. Asgjë nuk shpëtuam. Ku të iki, unë do të digjem atje brenda. Tërë plaçkat kam lënë aty, siç kam punuar 70 vjet, ç’e desha jetën time,”- u shpreh një banore.

Prej ditësh dy vatrat më aktive të zjarrit ku situata paraqitet e rëndë janë Delvina dhe Gramshi. Në Delvinë, zjarri është përhapur në rrethinat e qytetit, teksa nga ajri janë aktivizuar 2 helikopterë. Ndërsa në Gramsh situata vijon të jetë alarmante.

Advertisement