Aktualitet
Zj’arret në Shqipëri/ ISHP jep këshilla urgjente: Ja si të shmangni dëmet nga tymi

Zjarret masive që po përfshijnë Shqipërinë prej ditësh nuk shkaktojnë vetëm dëme në mjedis, por përbëjnë edhe një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) paralajmërojnë se përtej rrezikut të drejtpërdrejtë nga flakët, tymi që përhapet nga vatrat e zjarreve mund të mbërrijë edhe në distanca të largëta, duke shkaktuar probleme shëndetësore tek personat që nuk ndodhen afër flakëve.
Ekspertët këshillojnë qytetarët që të shmangin ekspozimin ndaj tymit, madje edhe kur flakët janë larg, dhe të marrin masa paraprake, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje kronike të frymëmarrjes, si astma apo bronkitet kronike. Përdorimi i maskave mbrojtëse, qëndrimi në ambiente të mbyllura dhe shmangia e aktivitetit fizik jashtë janë disa nga masat që rekomandohen për të reduktuar efektet negative të tymit.
Gjithashtu, udhëtimet me makinë në zonat ku tymi është i pranishëm nuk rekomandohen, përveç në rastet urgjente, pasi tymi mund të ulë dukshmërinë dhe të rrisë rrezikun për aksidente. Autoritetet shëndetësore kërkojnë që qytetarët të ndjekin udhëzimet e lëshuara nga institucionet dhe të qëndrojnë të informuar për evolucionin e situatës.

