Kosova
Po udhëtonin me motor, humbin jetën tragjikisht dy nxënëse 16-vjeçare

Dy nxënëse 16-vjeçare nga Kërçova kanë ndërruar jetë tragjikisht në një aksident rrugor.
Dy nxënëset 16-vjeçare, Eriona Ramadani dhe Albina Abazi, nga Shkolla e Mesme e Muzikës në Kërçovë, humbën jetën në një aksident me motoçikletë që ndodhi pranë fshatit Kolibar.
Shkolla shprehu ngushëllimet e saj duke theksuar se humbja e Erionës dhe Albinës i ka tronditur thellë.
Drejtori, stafi mësimdhënës dhe nxënësit u shprehën ngushëllimet e tyre të sinqerta familjeve të tyre, duke u lutur që Zoti t’u japë forcë për të përballuar këtë humbje të madhe.
Postimi i shkollës:
Me dhembje të thellë dhe zemra të tronditura morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të dy nxënëseve tona të dashura, Eriona Ramadani dhe Albina Abazi. Humbja e tyre ka prekur thellë çdo kënd në shkollën tonë dhe ka lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrat tona.
Në këto çaste të rënda pikëllimi, stafi pedagogjik, drejtoria dhe gjithë nxënësit e SHMK “Drita” – Kërçovë shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjet, të afërmit dhe miqtë e tyre. Ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që Zoti t’ju japë forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe.
Qoftë kujtimi i Erionës dhe Albinës i përjetshëm!
U prehshin në paqe!
Me respekt dhe pikëllim të thellë,
Drejtoria dhe stafi i SHMK “Drita” – Kërçovë.

