Connect with us

Bota

Pentagoni ka ndaluar Ukrainën të godasë thellë në territorin rus, sipas Wall Street Journal

Zyrtarët e mbrojtjes amerikane e kanë bllokuar Ukrainën nga përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-të për të goditur objektiva brenda Rusisë që nga fundi i pranverës.

Kjo, si pjesë e një përpjekjeje të administratës Trump për ta bindur Vladimir Putinin që të angazhohet në bisedimet e paqes, raporton gazeta amerikane Wall Street Journal.

WSJ-ja shkruan se Pentagoni e ka bllokuar Ukrainën nga përdorimi i Sistemeve të Raketave Taktike të Ushtrisë, ose ATACMS, të prodhuara në SHBA.

Dy zyrtarë amerikanë i thanë gazetës se në të paktën një rast, Ukraina kishte kërkuar të përdorte ATACMS kundër një objektivi, por iu mohua sipas një “mekanizmi shqyrtimi” të zhvilluar nga Elbridge Colby, nënsekretari i Pentagonit për politikën, që rregullon se si mund të përdoren armët me rreze të gjatë veprimi të SHBA-ve.

Procesi i shqyrtimit vlen edhe për raketën cruise Storm Shadow të Britanisë sepse varet nga të dhënat e synimit të SHBA-ve, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një zyrtari britanik, tha Journal.

Sistemi i rishikimit thuhet se i jep Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, miratimin mbi përdorimin e raketave ATACM, të cilat kanë një rreze veprimi prej gati 305 kilometrash.

Ukrainës iu dha më parë autorizimi nga administrata Biden për të përdorur sistemin e raketave kundër objektivave brenda Rusisë në nëntor, pasi trupat e Koresë së Veriut hynë në luftë.

Para inaugurimit në janar, Trump i tha revistës Time se vendimi për të lejuar Ukrainën të përdorë sistemet e armëve amerikane për të sulmuar objektivat brenda Rusisë kishte qenë një gabim.

“Nuk pajtohem shumë me dërgimin e raketave qindra milje në Rusi. Pse po e bëjmë këtë? Ne thjesht po e përshkallëzojmë këtë luftë dhe po e përkeqësojmë atë. Kjo nuk duhej të lejohej të bëhej”, tha ai.

Nuk është e qartë nëse procesi i rishikimit të Departamentit amerikan të Mbrojtjes përbën një ndryshim formal të politikës. Por kjo vjen së bashku me rritjen e kontrollit të municioneve në Ukrainë, ndërsa rezervat amerikane po shterojnë vetë.

Advertisement