Politike
“Demokratë bashkojuni PS”/ Rama bën ftesën e papritur: Opozitarët e aftë, të mirëpritur

Kryesocialisti Edi Rama duke shpalosur planet e qeverisjes për katërt vitet e ardhshme kërkoi përdorjen e 83 mandateve për krijimin e energjive për ta drejtuar Shqipërinë sikur socialistët të ishim në mandatin e parë.
“Duke nxjerrë nga vetja, një vete të re. Nuk na mjafton një grup i ri parlamentar për të bërë ca ligje të reja, apo një qeveri e re për të bërë disa gjëra të reja. Na duhet një qasje e re ndaj problemeve të vjetra dhe ndaj sfidave të reja”, tha kryesocialisti.
Edi Rama e quajti mision kombëtar bashkimin e plotë me Europën dhe për këtë vendosi të tijëve disa detyra.
“Të mbyllim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian në 27 muajt e ardhshëm, në fund të vitit 2027; të mundësojmë deri në fund të këtij mandati të ri ratifikimin në 27 Parlamentet e vendeve anëtare të vendimit të Këshillit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE; të ngremë deri në fund të kësaj dekade flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e familjes së bashkuar europiane”, u shpreh Rama.
Nga asambleja socialiste Edi Rama vendosi piketat se ku ai dëshiron ta shikojë PS në 20 vitet e ardhshme.
“Nuk është absolutisht mëkat, është detyrim që ne ta shohim Partinë Socialiste në krye edhe në 2030-n, edhe në 2040-n dhe në 2050-n. Ne ta shohim, domethënë ju ta shihni. Prandaj do t’ju ftoja ta shihni garantimin e kësaj qëndrueshmërie si detyrim shumë serioz, investim i të gjithëve këtu, në qendër dhe në territor ndaj Shqipërisë së gjeneratës tjetër”, tha kryeministri.
Edi Rama si një juventin i deklaruar nuk ka frikë të marrë edhe më të mirët nga kundërshtarët.
“Komuniteti i demokrateve në çdo territor ku ka më shumë se asnjëherë njerëz që duan të na bashkohen. Ne sapo i kemi fituar zgjedhjet dhe nuk na duhet më ne vota e tyre. por dëshira dhe energjia e tyre për të punuar duke dhënë përmes punës së tyre një kontribut sado të vogël dhe natyrisht duke mbajtur ndershmërisht në punë veten dhe pastaj ushqyer familjen e tyre në këtë kalim historik, na duhet dhe na duhet që çke atë punë dhe ne do ta ndjejnë sinqerisht dobinë e kësaj hapjeje”, tha ai.
Ai shpjegoi se përse do të tentojë ti marrë opozitës të Doktor Berishës më të mirët e mundshëm.
“Kjo është një pjesë kuptimplotë e asaj që thashë më parë, detyrimit strategjik të Partisë Socialiste për t’i garantuar sot vetes qëndrueshmërinë e vet afatgjatë. Shqipëria është shumë e vogël për të pasur luksin e mos shfrytëzimit të burimeve të mira njerëzore për interesat e shtetit pa diskutim dhe në shtresën e lartë të llumit të kënetës politike të opozitës, ka plot burime të pastërta, burime të vlefshme sidomos në territore më të vogla ku edhe burimet njerëzore në tërësi janë më të pakta dhe aftësinë e hapjes, fuqinë e integrimit përtej rrethit”, përfundoi kryeministri Rama.

