✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

PD nuk tërhiqet/ Berisha: Kemi lindur në protestë dhe do të jemi aty

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas përplasjeve mes protestuesve dhe mbështetësve të PD-së gjatë tubimit të së shtunës përpara Ministrisë së Arsimit.

Në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha pretendoi se personat që shkaktuan incidentet nuk ishin studentë, por individë të paguar nga qeveria për të provokuar dhe për të krijuar tensione.

Ai deklaroi se disponon edhe emrat e personave që, sipas tij, qëndronin pas incidenteve, por nuk pranoi t’i publikonte, duke argumentuar se kjo mund të interpretohej si sulm personal.

“Unë mund të them ty, i kam dhe emrat e tyre. Dhe mund t’ua them, por vetëm për hir të asaj që s’po më duket e drejtë se do ta marrin si një sulm të egër personal, por absolutisht ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se personat e përfshirë në përplasje nuk kishin lidhje me protestën studentore, duke theksuar se mes tyre kishte persona 30 dhe 40-50 vjeç.

Sipas tij, incidentet ndodhën pikërisht në momentet kur pranë tyre ndodheshin edhe mediat, të cilat ai i cilësoi si media pranë qeverisë.

“Siç e patë ju, asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente.

Unë mund të them ty, i kam dhe emrat e tyre. Dhe mund t’ua them, por vetëm për hir të asaj që s’po më duket e drejtë se do ta marrin si një sulm të egër personal, por absolutisht ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente.

Në qoftë se e vutë re, pikërisht aty ku u krijuan ato dy-tre, ndodheshin si për çudi mediat e qeverisë që t’i filmonin.

Por ata edhe njëherë, nuk janë studentë. Ju i rishihni edhe njëherë videot. Janë persona që ka prej tyre dhe 40-50 vjeç, ka të tjerë 30-vjeçarë me radhë, kështu që s’kanë asgjë të përbashkët me studentët.

Por një gjë, në qoftë se ju quani studentë disa eksponentë që i morën shpirtin Flamingove, gaboni. Ata janë rrezik për çdo lëvizje. Ata janë zjarrfikës të paguar profesionistë. Kështu që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën.

Kurse, ata që thonë se kjo protestë ishte e popullit, dje populli siç e patë ishte populli demokrat.

Dhe ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre.

Që kur ka filluar revolta studentore, e cila është thirrur dhe njëherë nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë, thirrje të cilës të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në universitete, në shkolla të mesme dhe jashtë universiteteve u janë përgjigjur ndër të parët.

Deputetët e Partisë Demokratike, drejtuesit e saj, në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në to. Dhe përveç pjesëmarrjes si mbështetje, kanë bërë një mbrojtje efikase të studentëve nga policia, narkopolicia, nga proceset gjyqësore dhe të tjera.

Janë mbi 600 studentë, të cilët kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra jonë ligjore.  Ndaj dhe ne jemi parti proteste.  Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë.  Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë.  Dhe unë ftoj edhe njëherë të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë qytetarët, t’i mbështesim studentët”, tha ndër të tjera Berisha.

Advertisement