✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Japonia goditet nga tërmeti 5.7 ballë, 20 persona të plagosur, ndërpriten trenat

Një tërmet me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter ka goditur Japoninë qendrore gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës, duke shkaktuar 24 të plagosur dhe dëme materiale në disa zona të vendit.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, lëkundjet sizmike u regjistruan në orën 01:04 me kohën lokale, në një thellësi prej 40 kilometrash. Epiqendra e tërmetit ishte në perëndim të prefekturës Shizuoka, rreth 200 kilometra në perëndim të Tokios.

Sipas raportimeve të gazetës lokale “Chunichi Shimbun” dhe televizionit “Tokai”, 24 persona mbetën të plagosur në prefekturat Shizuoka dhe Aichi. Nga të dhënat e autoriteteve, 16 persona në Aichi pësuan lëndime të lehta, ndërsa në Shizuoka u raportuan tre të plagosur, mes tyre edhe një grua 90-vjeçare, e cila ra nga shtrati si pasojë e lëkundjeve.

Përveç të plagosurve, tërmeti shkaktoi edhe dëme materiale, ku në disa qytete u raportuan dritare të thyera dhe dëmtime të tjera në ndërtesa.

Lëkundjet ndikuan gjithashtu në funksionimin e transportit hekurudhor, duke shkaktuar ndërprerjen e disa shërbimeve, përfshirë edhe trenat me shpejtësi të lartë Shinkansen.

Japonia konsiderohet një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve në botë, pasi ndodhet në kryqëzimin e katër pllakave tektonike. Sipas të dhënave, në këtë arkipelag regjistrohet rreth 18% e tërmeteve vjetore në nivel global.

Vendi mbetet ende i shënuar nga katastrofa e 11 marsit 2011, kur një tërmet me magnitudë 9.0 shkaktoi një cunami shkatërrues. Tragjedia la rreth 18.500 viktima dhe persona të zhdukur, ndërsa shkaktoi edhe katastrofën bërthamore në centralin e Fukushimës.

Advertisement