Connect with us

Kosova

Dëshmia që përmbysi propagandën për UÇK-në

James Rubin, ish-ndihmës i Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, nisi këtë javë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës, në kuadër të mbrojtjes së ish-presidentit kosovar, Hashim Thaçi, dhe bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Agon Maliqi, analist i politikës së jashtme dhe aktivist i shoqërisë civile, reagoi nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën pasdite, duke e cilësuar dëshminë e ish-zyrtarit amerikan “dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm historik që i përmbysë shumë narracione propagandistike” për zhvillimet gjatë dhe pas luftës së vitit 1999.

“Ai e çmonton argumentin kryesor të prokurorisë – të cilin e di çdo njeri në Kosovë me sens arsyeje – se UÇK-ja ka pasur strukturë qendrore të konsoliduar apo dhe të aftë për të udhëzuar dhunë dhe krime në mënyrë sistematike”, vlerësoi Maliqi.

Maliqi konsideroi se dëshmia e Rubinit përshkruan një realitet krejt tjetër: atë të një formacioni të decentralizuar dhe kaotik, që vepronte nën kushte ekstreme, përballë një shteti që kishte planifikuar dhe ekzekutuar një politikë gjenocidiale, sipas tij.

Edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Hulumtimin dhe Zhvillimin e Politikave, Lulzim Peci, çmoi dëshminë e Rubinit, duke e konsideruar jo thjesht si një deklaratë gjyqësore në kuadër të një procesi penal, por si një ndërhyrje me peshë historike.

“S’ishte thjesht një dëshmi në një proces gjyqësor”, shkroi ish-diplomati kosovar, por “një ligjëratë publike e dorës së parë për historinë moderne të Kosovës, për lidershipin vizionar të shqiptarëve, për luftën e UÇK-së dhe rrugëtimin e saj drejt pavarësisë”.

E për hulumtuesin nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli, entuziazmi që pasoi dëshminë e Rubinit pasqyron një problem të thellë shoqëror: paaftësinë kolektive të kosovarëve për ta mbrojtur të vërtetën historike të luftës çlirimtare të UÇK-së.

“Duhej një i huaj të vinte e të na rikujtonte dhe konfirmonte atë që ne vetë duhej ta dinim, ta mbronim dhe ta artikulonim. Ndërkohë ne mbetemi të ndarë në vija politike, të brishtë dhe të paaftë për të mbrojtur kolektivisht të vërtetën tonë historike”.

Dëshmitë e ish-zyrtarit të lartë amerikan do të vazhdojnë edhe të martën para Dhomave të Specializuara, në fazën vendimtare për ecurinë e procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm. Në kapacitetin e një prej figurave kryesore të diplomacisë amerikane gjatë luftës në Kosovë, dëshmitë e tij mund të jenë element përcaktues për të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Advertisement