Kosova
Pavarësi ose vdesim të gjithë/ Përplasja e Thaçit me Hill – Rubin për kërcënimet gjatë luftës

James Rubin: Nuk kam parë kurrë Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së
James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mohuar se kishte parë apo ka qenë në dijeni të ketë ekzistuar në rend të parë një “Shtab i Përgjithshëm” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një institucion hierarik dhe i rregullt ushtarak.
“Nuk ka Shtab të Përgjithshëm që unë po e ditkam. Si një strukturë e rregullt komanduese. Është keqpërfaqësim. Ta përshkruash si Shtab të Përgjithshëm më tingëllon absurde”, tha Rubin.
Referuar librit të Rexhep Selimit ku ai shkruan për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe pajtimit të tyre për nënshkruarjen e Marrëveshjes së Rambujesë – Rubin i qëndroi asaj se ishin disa komandantë dhe liderë të luftës, por si “Shtab të Përgjithshëm” nuk do ta kualifikonte.
“Unë nuk di kurrë të ketë raportuar (Hashim Thaçi) te Shtabi i Përgjithshëm, kurrë s’kam vëzhguar ekzistencë të një Shtabi të Përgjithshëm. Çka e di është që Thaçit i duhet të konsultohej me liderët politikë dhe ushtarakë”, tha ai.
Rubin: Vetëm Thaçi kishte premtimin e SHBA-së për bombardime
James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, tha se lideri i UÇK-së kishte një garanci që askush tjetër nuk e zotëronte.
“Hashim Thaçi kishte diçka që Adem Demaçi nuk e kishte, premtimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ushtria, nga Perëndimi, nga bota, nga NATO-ja. Ai shtoi se ky premtim ishte unik dhe i përqendruar tek Thaçi.
“Ky premtim ishte vetëm në duart e Hashim Thaçit. Nëse ai nënshkruante dhe serbët refuzonin, atëherë SHBA-ja do të fillonte fushatën ajrore, bombardimet kundër Serbisë. Askush tjetër nuk e kishte këtë premtim, bota e dinte këtë gjë”, deklaroi Rubin.
Rubin: Clinton u impresionua nga sjellja e Thaçit gjatë luftës
James Rubin ka deklaruar se ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Bill Clinton, i kishte bërë shumë përshtypje sjellja e Hashim Thaçit.
Rubin u shpreh se deklarata e Thaçit, se nuk do të hakmerreshin ndaj Serbisë, ishte ajo që e kishte impresionuar Clintonin.
“Presidenti Clinton më tha se i kishte bërë shumë përshtypje fakti që po fliste me udhëheqësin e UÇK-së në një kohë lufte, kur njerëzit kishin parë vrasje të tmerrshme”.
“Megjithatë, Thaçi, pa u nxituar, i tha presidentit Clinton se mesazhi që donte t’i përcillte botës ishte se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, ata nuk do të kundërpërgjigjeshin dhe nuk do të merrnin hak. Sigurisht, në këto rrethana mund të kishte akte dhune, por presidentit Clinton i bëri shumë përshtypje sjellja e Thaçit”, u shpreh Rubin.
Rubin: Hill s’ka qenë miqësor ndaj Thaçit
James Rubin akuzoi Christopher Hillin për sjellje negative ndaj Hashim Thaçit gjatë negociatave për paqe. Hilli kishte shkuar në Shkup një ditë përpara finalizimit të Marrëveshjes së Rambujesë, mars 1999, për të takuar delegacionin kosovar, por Thaçi nuk kishte qenë i pranishëm.
Kur u pyet nëse Thaçi ishte duke u fshehur kur erdhi koha për ta nënshkruar marrëveshjen, ish-diplomati amerikan kujtoi se Thaçi i kishte thënë se i duhej të udhëtonte maleve sepse kishte fletarrest aktiv të lëshuar nga Serbia.
“Hilli s’ka qenë miqësor ndaj Thaçit. Unë e dija se Hilli do të jepte komente negative për mungesën e Thaçit. Unë, pa e ditur, thashë së mund të ketë një shpjegim legjitim për këtë. Unë po përpiqesha të thosha se ka arsye që nuk është këtu, ndoshta ka mbetur në bjeshkë, ndoshta është në rrezik”.
Ai kujtoi gjithashtu se Hilli kishte shprehur pakënaqësi për mungesën e Thaçit në Shkup, duke i kërkuar llogari Rubinit: “Pse s’është këtu? Pse bën sikur është kreu i një shteti? Pse bën sikur është një person i rëndësishëm?”.
Rubin: Shoqëria kosovare kishte nevojë për UÇK-në gjatë luftës
James Rubin ka pohuar se shoqëria kosovare gjatë viteve 1998-1999 kishte nevojë për një ideolog politik dhe ushtarak, siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Rubin ka sqaruar se e kuptonte që UÇK-ja kishte degën ushtarake, por që këtë nuk e kishte të konfirmuar.
“Unë e dija që UÇK-ja kishte të ashtuquajturën degë ushtarake, dhe mendoj se ishte një prezumim; kështu e kam kuptuar unë vetë dhe nuk është që ma ka thënë me gojë zotëri Thaçi”.
“Nuk kisha fjalën për ndonjë klan apo grup të veçantë, por përpiqesha të komunikoja se strukturat dhe udhëheqësit e Kosovës, si dhe vendimmarrja në një shoqëri që ne nuk e njihnim mirë, kishin nevojë për ideolog politik dhe ushtarak, siç ishte UÇK-ja, dhe ata gjithmonë i quajnë udhëheqës të klaneve”, ishte deklarata e Rubinit
Rubin tregon për kërcënimet që kishte Thaçi gjatë luftës
Ish-diplomati amerikan, James Rubin, është pyetur lidhur me kërcënimet që ka pasur Hashim Thaçi gjatë kohës së luftës në Kosovë. Rubin u shpreh se ai ishte i kërcënuar vazhdimisht nga forcat serbe, madje edhe me jetë, por refuzonte të tregonte këtë në mënyrë të hapur.
“Nuk kam pasur asnjëherë prova personale nga një burim i veçantë që ai ishte i kërcënuar. Por atmosfera ishte e tensionuar; njerëzit gjithmonë thoshin gjëra, disa të vërteta, disa jo. Unë isha zhytur në një përvojë të re. Edhe pse dikush më tha se ai ishte i kërcënuar dhe i frikësuar, unë përpiqesha të bisedoja më të dhe të kuptoja nëse kjo ishte e vërtetë, por ai nuk më tha asnjëherë që ishte i kërcënuar”.
“Ishte një frikë e përgjithshme, dhe kërcënimet ishin kryesisht nga forcat serbe, të cilat në një pikë të caktuar e kishin dënuar me vdekje. Ai kërcënohej nga fuqia serbe, nga ushtria serbe”.
Rubin potencoi se Thaçi ishte i detyruar të tregonte gjithmonë kujdes.
“Thaçi ishte njeri me dinjitet dhe nuk mendoj që donte të më thoshte mua personalisht se ishte i kërcënuar, por atmosfera ishte se ai ishte i kërcënuar nga forcat ushtarake serbe, dhe kjo e bënte atë që të udhëtonte me shumë kujdes”.
Rubin: Demaçi kishte autoritet ideologjik mbi Thaçin
James Rubin kujtoi momentin kur Madeleine Albright zhvilloi një telefonatë me Adem Demaçin ngase e konsideronin udhëheqës ideologjik të UÇK-së. Pra, ai kishte ndikim në qëndrimet politike të përfaqësuesve të UÇK-së.
Rubin shtoi se Hashim Thaçi e konsideronte të domosdoshme mbështetjen e Demaçit në Rambuje, prandaj kishte nevojë që Demaçi të ishte i gatshëm të shtynte për më vonë çështjen e pavarësisë, për të mundësuar nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Rambuje, por Demaçi kishte kundërshtuar. Ai përmendi kohën kur Demaçi, gjatë bisedës me Albright, manifestoi një qëndrim të vendosur, duke deklaruar “ose pavarësi, ose vdesim të gjithë” që, sipas Rubin, përbënte një pozicion “të egër” kundrejt atij të Thaçit.

