✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

GOMARI, UJKU QE E SHQYEN DHE KRYEMINISTRI/ METAFORA QE GODET RAMEN MES KRIZES SE PROTESTAVE

Prej ditësh, protestat e studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve nga shtresa të ndryshme të shoqërisë po e vendosin kryeministrin Edi Rama përballë një krize të fortë politike dhe qeverisëse. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij, refuzojnë ofertën për dialog, nuk tërhiqen përballë joshjeve dhe sfidojnë edhe presionin e dhunën policore.

Në një analizë të publikuar nga Pamfleti, sjellja e kryeministrit krahasohet me atë të një njeriu që nuk arrin të kuptojë rrezikun që po i afrohet. Sipas autorit, Rama vazhdon të sillet sikur zemërimi qytetar nuk përbën kërcënim për pushtetin e tij, duke shpërfillur përmasat dhe objektivin e protestës.

Për ta ilustruar këtë qëndrim, autori përdor një metaforë të fortë: historinë e gomarit që po e shqyente ujku, ndërsa ai mendonte se ishte thjesht një ëndërr. Por, siç nënvizon Pamfleti, protesta nuk është një makth që zhduket me zgjimin e kryeministrit. Ajo, sipas analizës, buron nga pakënaqësia ndaj një pushteti që protestuesit e akuzojnë për autokraci, korrupsion dhe lidhje me krimin.

Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë me kërkesën për largimin e Ramës, ndërsa kryeministri, sipas autorit, lëviz mes demonstrimit të forcës shtetërore, ofertave për dialog dhe përpjekjeve për të delegjitimuar protestuesit. Kjo sjellje, argumenton Pamfleti, tregon se Rama nuk po e kupton seriozitetin e krizës që po përballet.

Analiza ngre edhe një paralele me vitin 1997, kur Sali Berisha refuzoi të largohej pas shembjes së skemave piramidale dhe vendi u zhyt në kaos, me pasoja të rënda për shtetin dhe shoqërinë. Sipas autorit, rreziku qëndron te këmbëngulja e një udhëheqësi për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, edhe kur kriza politike thellohet.

Pamfleti e lidh zemërimin e protestuesve me akuzat për korrupsion, shpërdorim të fondeve publike dhe përqendrim të pasurisë e të ekonomisë në duart e një grupi oligarkësh dhe qeveritarësh. Në qendër të pakënaqësisë, sipas shkrimit, janë edhe kontrolli mbi tokat bregdetare, plazhet, lejet e ndërtimit, licencat, energjinë, ushqimin, ilaçet, spitalet, transportin dhe tregun e karburanteve.

Duke iu referuar përvojave të ndryshimeve të pushtetit në vende të ndryshme, si edhe zhvillimeve shqiptare të viteve 1991 dhe 1997, autori argumenton se kriza e një udhëheqësi thellohet kur ai humbet kontaktin me realitetin dhe nuk arrin të kuptojë se mbështetja politike po i dobësohet.

Në përfundim, Pamfleti e përshkruan Ramën si një kryeministër që vazhdon të sillet sikur gjithçka është nën kontroll, ndërsa protesta po i sfidon pushtetin dhe autoritetin. Mesazhi i autorit është i drejtpërdrejtë dhe i mbështetur te metafora që përshkon të gjithë shkrimin: “Dikush duhet ta zgjojë dhe t’i tregojë se ujku po e shqyen.”

Advertisement