Aktualitet
EMRI-VIDEO/ I blerë me para droge, sekuestrohet një “Ferrari” me vlerë 600 mijë euro

Policia e Tiranës bën me dije se ka sekuestruar një automjet tip “Ferrari”, me vlerë rreth 600 mijë euro, pasi dyshohet se është përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Raportohet se në kuadër të operacionit “Red”, automjeti tip “Ferrari” është ndaluar në rrugën “Abdyl Frashëri”, ku drejtohej nga shtetasi Eri Vraja, 30 vjeç, i dënuar më parë në Turqi për drogë.
Nga verifikimet ka rezultuar se Eri Vraja, ia kishte lënë në pronësi automjetin shtetasit S. Ll., 36 vjeç, për të humbur gjurmët, ndërsa automjetin e ka sjellë në Shqipëri shtetasi A. L., 30 vjeç, për llogari të Eri Vrajës.
“Në kuadër të operacionit, u ndalua në rrugën “Abdyl Frashëri”, automjeti tip “Ferrari”, me drejtues shtetasin Eri Vraja, 30 vjeç, i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike, pasi nga hetimet dyshohet se automjeti është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Nga hetimet e mëtejshme u identifikuan shtetasi të cilit 30-vjeçari ia kishte lënë në pronësi automjetin, me qëllim shmangien e gjurmimit, konkretisht S. Ll., 36 vjeç, si dhe shtetasi që kishte sjellë automjetin, në Shqipëri, për llogari të 30-vjeçarit, konkretisht A. L., 30 vjeç.” – thuhet në njoftim.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se në vijim të veprimeve procedurale ka nisur procedimi penal për të tre shtetasit e mësipërm. Gjithashtu, raportohet se vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit Eri Vraja ose të afërmve të tij, që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale, në Turqi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

