Connect with us

Kosova

Lavrov akuzon: Perëndimi po destabilizon Ballkanin, në Kosovë po cënohen të drejtat themelore të serbëve

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, akuzoi Perëndimin se po minon paqen dhe stabilitetin në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, duke theksuar se Moska mbetet “konsekuente në mbrojtjen e sovranitetit të Serbisë”.

Sipas tij, veprimet e vendeve perëndimore përbëjnë shembull të qartë të shkeljes së parimeve statutore të OKB-së dhe ndërhyrjes flagrante në punët e brendshme të shteteve. Lavrov shtoi se në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë po zhvillohen “sulme sistematike kundër popullit serb dhe të drejtave të tij themelore”.

Duke iu referuar marrëdhënieve me NATO-n dhe BE-në, kryediplomati rus tha se Rusia nuk ka kurrfarë plani për të sulmuar këto organizata, por paralajmëroi se çdo “agresion” ndaj Moskës do të përballet me vendosmëri.

“Propozimet tona për garanci të detyrueshme ligjërisht mbi sigurinë janë injoruar. Ndërkohë, kërcënimet ndaj Rusisë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Presidenti Putin i ka hedhur poshtë vazhdimisht këto provokime. Rusia asnjëherë nuk ka pasur dhe as nuk ka qëllime të tilla”, tha Lavrov.

Në fjalimin e tij, ai u ndal edhe te konflikti izraelito-palestinez, duke akuzuar Perëndimin se po përpiqet të anulojë vendimet e OKB-së për krijimin e shtetit palestinez.

“Një numër qeverish perëndimore vetëm së fundmi shpallën njohjen e Palestinës. Pyetja është pse pritën kaq gjatë? Është e qartë se shpresonin që së shpejti të mos mbetej më asgjë për të njohur”, theksoi Lavrov.

Advertisement