Aktualitet
‘Bankers’/ Prokuroria e Fierit shpall moskompetencë, dosja i kalon SPAK-ut për korrupsion dhe grup të strukturuar kriminal
Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencën për hetimin e aferës “Bankers Petroleum”, duke ia kaluar çështjen SPAK. Ky vendimi është marrë për shkak të dyshimeve se në këtë çështje mund të jenë të përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët janë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, në bazë të kompetencës lëndore që i atribuohet këtij institucioni.
Dosja lidhet me veprimtarinë e kompanisë në sektorin e hidrokarbureve, ndërkohë që pritet që SPAK të shqyrtojë më tej provat dhe të vendosë për vijimin e hetimeve. Në fokus të hetimeve pritet të jetë mënyra e menaxhimit të kontratave dhe marrëveshjeve të lidhura mes kompanisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe çdo indicie për shkelje të mundshme ligjore apo abuzim me detyrën.
Kujtojmë se kompania Bankers Petroleum, ka shfrytëzuar vendburimin e naftës Patos-Marinzë duke shitur naftë me vlerë miliarda euro, por ka rezultuar me humbje duke shmangur taksat.
Në paraburgim ndodhet CEO i Bankers Petroleum’, kinezi Hongping Xiao dhe ish drejtorin Leonidha Cobo, të dy të akuzuar për skemë mashtruese me TVSH-në dhe evazion fiskal. Çobo dyshohet gjithashtu edhe për pastrim parash.
Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa katër persona u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit.