Bota
Izraeli tërhiqet nga armëpushimi? Netanjahu urdhëron ushtrinë izraelite sulme të fuqishme në Gaza
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar ushtrinë që të ndërmarrë menjëherë sulme “të fuqishme” në Gaza.
Netanyahu bëri këtë njoftim pak pasi Izraeli deklaroi se Hamas kishte hapur zjarr ndaj forcave izraelite në jug të Gazës.
Tensionet ishin tashmë të larta pasi Izraeli akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të brishtë, duke dorëzuar mbetjet shtesë të pengut Ofir Tzarfati — i cili ishte tashmë i rikuperuar dhe varrosur në vitin 2023.
Zyra e kryeministrit tha se ky veprim përbën një “shkelje të qartë” të marrëveshjes, e cila po vihet gjithnjë e më shumë nën presion për shkak të vonesave në kthimin e trupave të pengjeve.
Më pas, Netanyahu zhvilloi një takim sigurie me zyrtarët e mbrojtjes për të diskutuar reagimin e mundshëm.
Një zyrtar izraelit konfirmoi për Reuters se sulmi ndaj forcave në qytetin jugor të Rafahut, që ndodhet nën kontrollin e Izraelit, përbën “një tjetër shkelje të hapur të armëpushimit”.
Një zyrtar ushtarak izraelit tha se trupat izraelite reaguan pasi Hamas hapi zjarr ndaj tyre në Rafah më herët gjatë së martës.
Ndërkohë, Hamasi kishte planifikuar të dorëzonte një trup të rikuperuar nga një tunel në Gaza të martën, por njoftoi shtyrjen e dorëzimit pasi Izraeli kishte shpallur planet për të goditur. Krahët e armatosur të Hamasit, Brigadat Al-Qassam, njoftuan shtyrjen, duke e justifikuar me “shkeljet izraelite të armëpushimit.”
Egjipti dërgoi gjatë fundjavës një ekip ekspertësh për të ndihmuar në kërkimin e trupave në Gaza.
Hamasi ende nuk ka dorëzuar trupat e 13 pengjeve të tjerë, duke deklaruar se janë të vështirë për t’u gjetur mes shkatërrimeve të mëdha në Gaza. Izraeli e ka akuzuar grupin për vonesa të qëllimshme.
Ofir Tzarfati ishte rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit në festivalin muzikor “Nova” më 7 tetor 2023 dhe ishte vrarë në robëri.
Në një deklaratë, familja e Tzarfatit tha se kjo ishte hera e tretë që “jemi detyruar të hapim varrin e Ofirit dhe ta rivarrosim djalin tonë.” Trupi i tij ishte gjetur nga trupat izraelite në nëntor 2023, dhe në mars 2024 familja kishte marrë mbetje shtesë për rivarrim.
Kthimi i trupit të tij është hera e dytë kur ndodh një incident i tillë, pasi në javën e parë të armëpushimit Hamasi kishte dorëzuar gabimisht trupin e një palestinezi të paidentifikuar.
Hamasi zgjeroi kërkimet për trupat e pengjeve të dielën, pas ndërhyrjes së Egjiptit që dërgoi ekspertë dhe pajisje të rënda për kërkimet.
Të shtunën, Donald Trump deklaroi se do të “vëzhgonte nga afër” kthimin e trupave të pengjeve nga Hamasi gjatë dy ditëve në vijim.