Aktualitet
14-vjeçari kosovar, hero në Gjermani, shpëton shokun e tij nga vrasja brutale
Një 14-vjeçar me origjinë nga Kosova është kthyer në hero në Gjermani, pasi tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke shpëtuar shokun e tij nga një sulm brutal me çekiç. Ngjarja tronditi qytetin Friedberg në mesin e tetorit, kur një 15-vjeçar sulmoi dy bashkëmoshatarë të tij para nisjes së mësimit, duke plagosur rëndë njërin prej tyre.
Sipas gazetës “Friedberger Allgemeine”, Len Fejzullahu ndodhej në oborrin e shkollës me dy shokë kur sulmuesi iu afrua i veshur me uniformë ushtarake dhe me një çekiç në dorë. “Në fillim mendova se po bënte shaka,” ka rrëfyer Len, por shpejt e kuptoi se ishte përballë një sulmi të vërtetë dhe tepër të rrezikshëm.
Adoleshenti kosovar reagoi me guxim, duke vrapuar drejt mikut të tij që ishte goditur në kokë. Edhe pse u plagos në krah, Len arriti të shmangte goditje të tjera dhe më pas iu kundërvu sulmuesit. Ai e qëlloi në këmbë, i mori çekiçin nga duart dhe e goditi në bark, duke e rrëzuar në tokë dhe ndalur sulmin.
Falë ndërhyrjes së tij, shoku i plagosur dhe vetë Len arritën të hynin në ambientet e shkollës, ku u ndihmuan nga mësuesit deri në mbërritjen e policisë dhe ambulancës. Sulmuesi 15-vjeçar u arrestua menjëherë dhe po hetohet për tentativë vrasjeje dhe dëmtime të rënda trupore, si dhe për një motiv të mundshëm ekstremist.
Len Fejzullahu, që tashmë njihet si “heroi i Friedbergut”, është ftuar në një takim nga kryebashkiaku Roland Eichman për të vlerësuar aktin e tij të guximshëm që shpëtoi një jetë.