Connect with us

Bota

Të hapet shampanja/ Trump pret nga Zelensky të firmosë planin e paqes para ditës së Falënderimeve

Administrata amerikane pret që Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të nënshkruajë draft-planin e paqes për Ukrainën përpara festës së Falënderimeve, raportoi Financial Times.

Pas firmosjes, dokumenti pritet t’i paraqitet Moskës, me synimin që procesi të përmbyllet brenda fillimit të dhjetorit.

Megjithatë, afati i propozuar shihet si tejet optimist. Plani përfshin disa elementë që Kievi i konsideron “vija të kuqe”, përfshirë kërkesat për lëshime territoriale, kufizime të mëdha në ushtri dhe kategoritë e armëve që Ukraina mund të zotërojë.

Në adresimin e tij të mbrëmjes, Zelensky deklaroi se pret të zhvillojë një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump në ditët në vijim dhe se po shmang deklaratat e ashpra derisa të ketë një komunikim të drejtpërdrejtë.

Burime për CNN thanë se disa pika të planit amerikan ka gjasa të ndryshohen, veçanërisht ato që perceptohen si pro-ruse, përpara se dokumenti t’i paraqitet zyrtarisht palëve.

Sipas raportimeve, administrata Trump po kërkon negociata të shpejta, ndërsa presioni mbi Kievin rritet për të marrë një vendim që mund të riformësojë balancat e konfliktit dhe të ardhmen e sigurisë në rajon.

Advertisement