Politike
‘Qeverisja Rama ka arritur fundin’/ Beleri: Skandali i pronave në Himarë dhe manipulimet në drejtësi…
Eurodeputeti Fredi Beleri ka lëshuar akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë dhe qeverisë lidhur me çështjet e pronave në Himarë ndërsa thekson se cikli i kësaj qeverisjeje ka arritur në fund.
Fredi Beleri tha se qeveria e Kryeministrit Edi Rama po ndodhet në një moment të vështirë politik, ku ka “hapur zarfin e tretë”, një figurë e përdorur për të treguar se kjo qeverisje po përgatit më shumë kriza. Beleri, duke komentuar çështjet e pronave në Himarë, theksoi se vendimi i Gjykatës së Lartë për çështjen e falsifikimit të pronave në Dhërmi, ku ishin të përfshirë ish-ministrja Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, u mbyll shumë shpejt dhe në favor të tyre.
Ai denoncoi se ndërkohë çështja e tij ka mbetur pezull për më shumë se gjashtë muaj, duke theksuar padrejtësitë dhe manipulimet që po ndodhin në sistemin e drejtësisë. Beleri e cilësoi këtë një shembull të skandalit të madh që po përfshin pronat në Himarë dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, ku 8,000 pasuri janë regjistruar, por qytetarët nuk po marrin certifikatat e pronësisë, duke ngritur dyshime për manipulim të procesit.
Ai gjithashtu theksoi se skandalet e fundit kanë nxitur pyetje edhe nga mbështetësit më të fortë të qeverisë Rama, duke sugjeruar se është koha që të gjith të kuptojnë se çfarë po ndodh në Shqipëri.
Pjesë nga deklarata:
Prona është e sekuestruar. Ish-kryetari i bashkisë së Himarës dhe dy nënpunës të Himarës kanë vuajtur dënimin e tyre. Ndërsa zonja Xhaçka është akoma në Kuvendin e Shqipërisë. Duhet të dini se para një muaji, më 18 nëntor, nëse nuk gaboj, Gjykata e Lartë mbylli këtë çështje në mënyrë të formës së prerë. Duhet të nënvizoj se nxitoi mbyllja e çështjes nga Gjykata e Lartë, e cila nuk është një gjë normale. Çështja ime ka të paktën gjashtë muaj që është në proces, dhe akoma nuk më është caktuar data, ndërsa çështja e zonjës Xhaçka është mbyllur shumë shpejt. Dhe u mbyll, siç e dinë të gjithë, duke e shpallur zonjën Xhaçka dhe zotin Agaçin të pafajshëm për çështjen e falsifikimit të tokave në Dhërmi.
Unë nuk e di kush ka falsifikuar. Përfituesi i falsifikimit ishte ndërtuesi, bashkëshorti i zonjës Xhaçka, i cili nuk mori asnjë pasojë. Pra, kryetari nga Himara, Bonjaku, luftonte për të regjistruar atë pronë për 30 vjet. Sapo bëri kontratë shitjeje me zonjën Xhaçka dhe zotin Gaçi, toka u regjistrua, doli leja dhe u mor edhe statusi i investitorit strategjik. Sigurisht, në Himarë nuk është vetëm çështja e zonjës Xhaçka, ka edhe dhjetëra çështje të tjera ku ka pasur abuzime me pronat dhe po bëhen akoma, ndërkohë që po flasim. Nëpër media lexoj çdo ditë që skandali më i madh i pronave mund të jetë AKSHI, ata që kanë në dorë kadastrën. Ata kanë mbaruar regjistrimin fillestar të të paktën 8,000 pasurive në Imar. Ato janë të disponueshme në e-Albania, por qytetarët nuk po i marrin letrat. Pse nuk po i marrin? Kjo është me dyshim. Ka mbaruar regjistrimi fillestar, ka mbaruar procedura, kanë mbaruar afatet dhe nuk po lëshohen vërtetimet ose certifikatat e pronësisë. Për mua, kjo është arsyeja, megjithëse ka presion nga BE-ja dhe ndërkombëtarët për zgjidhjen e çështjes së pronave në Shqipëri, këto certifikata nuk po lëshohen. Nuk po lëshohen sepse po manipulohen. Nuk ka ndonjë arsye tjetër, për ato prona që të paktën nuk kanë konflikte.
Pas ngjarjeve të fundit në Shqipëri, nuk ka një qëndrim zyrtar nga Brukseli. Qëndrimi është ai i Martës Kos në Tiranë, ku ajo bëri një prononcim për zgjedhjet që ishin të lira dhe demokratike. Sigurisht, në korridoret e Brukselit, por jo vetëm atje, të gjitha këto që po dalin në pah po shihen nga qytetarët shqiptarë dhe mbështetësit më të fanatikë të zotit Rama, po e vënë në dyshim atë që po ndodh. Unë besoj se është koha që edhe të shurdhët do të dëgjojnë, edhe të verbërit do të shohin.
Nuk ka njeri që mund të fshihet sot pas gishti dhe të thotë “nuk e dija” ose “nuk ka ndodhur asgjë”, pasi janë zbuluar kaq hapur të gjitha ato që opozita shqiptare ka denoncuar kaq vjet. Edhe të gjithë ata që merreshin me opozitën, sot e dinë më mirë. Në Vlorë kishte përpjekje për t’ia faturuar opozitës faktin që qytetarët ishin pa ujë për katër ditë. Kjo, fatkeqësisht, u besua nga shumë shqiptarë dhe ndërkombëtarët për një periudhë të gjatë, por kjo periudhë ka mbaruar.
Po dua të them diçka të fundit, një fabul, dhe do më lejoni vetëm një minutë. Vjen në detyrë një kryeministër i ri dhe gjen në zyrë tre zarfa. I thotë sekretari: “Kur të keni krizën e parë, hapni zarfin e parë dhe do të shihni udhëzimin.” Vjen kriza e parë, kryeministri hap zarfin e parë dhe udhëzimi thotë: “Do t’ia hedhësh të gjitha opozitës dhe do thuash që kur morët qeverinë, gjetët gjithçka të djegur dhe asgjë nuk funksiononte.” Kryeministri e bëri këtë, e hodhi mbi opozitën dhe kaloi krizën. Kur erdhi kriza e dytë, ai hap zarfin e dytë dhe udhëzimi thotë: “Do ua hedhësh të gjitha bashkëpunëtorëve, atyre që janë pa shpatull, pa shpinë.” Kryeministri e bën dhe këtë, e zbatoi dhe kaloi krizën e dytë. Kur erdhi kriza e tretë, sekretari i thotë: “Hap zarfin e tretë.”
Zarfi i tretë thotë bëj gati tre zarfa…