Bota
Tusk: SHBA gati të dërgojë trupa në Ukrainë si garanci sigurie
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa në Ukrainë, si pjesë e garancive të sigurisë pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje, deklaroi kryeministri polak Donald Tusk.
Tusk e bëri këtë deklaratë pas një raundi bisedimesh me liderë të vendeve kryesore evropiane, kryeministrin e Kanadasë, drejtues të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.
Kryeministri polak theksoi se bisedimet vlerësuan rezultatet e fazës së parë të asaj që ai e cilësoi si “negociata shumë serioze”, ku kanë marrë pjesë Ukraina, vendet evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Sipas tij, arsyeja kryesore për këtë optimizëm lidhet me deklarimin e drejtpërdrejtë të SHBA-ve për gatishmërinë e saj për të marrë pjesë në garancitë e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se në fillim të janarit, në Paris, do të mbahet një takim i të ashtuquajturës “koalicion i të vullnetshmëve”, ku pritet të konkretizohen kontributet specifike të secilit shtet në sistemin e ardhshëm të garancive të sigurisë për Ukrainën.