Connect with us

Bota

2025-a, viti i ‘turbulencave’ globale: gjithçka ndodhi në 12 muaj

Viti 2025 nuk solli “pushim” pas vitit të lodhshëm 2024 në arenën ndërkombëtare. Konfliktet dhe përplasjet u theksuan dhe 12 muajt ofruan më pak arsye për optimizëm, pasi shumë nga ngjarjet më poshtë do të jenë të rëndësishme dhe mbase ‘problematike’ edhe në 2026-ën.

Janar

Donald Trump ndryshon politikën e jashtme të SHBA-ve. Pas betimit, ai nis zbatimin e premtimeve të fushatës, duke tërhequr SHBA-të nga Marrëveshja e Parisit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, kufizuar pranimin e refugjatëve dhe shpallur kartelet e drogës si organizata terroriste të huaja.

Sulm terrorist në New Orleans, SHBA: Më 1 janar një sulm me makinë dhe armë në rrugët e famshme të Bourbon Street la 15 të vrarë dhe 57 të plagosur, duke trazuar fillimin e vitit 2025 dhe rritur debatet për sigurinë civile dhe terrorizmin brenda SHBA-ve.

Gara e Inteligjencës Artificiale: SHBA-të dhe Kina janë fuqitë kryesore botërore në AI. Në janar, kompania kineze DeepSeek tërhoqi vëmendjen globale pasi prezantoi një model inteligjence artificiale që rivalizonte modelet më të mira amerikane, pa përdorur çipat e avancuar Nvidia, të konsideruar deri tani thelbësorë për AI-në moderne.

Vdes Anastas Janullatos, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në moshën 95 vjeçare pas një sëmundjeje dhe komplikimeve shëndetësore. Ai ishte një figurë kyçe në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri pas rënies së komunizmit dhe shërbeu si kryepeshkop për më shumë se 30 vjet, duke ringjallur besimin dhe jetën kishtare në vend.

Janari solli një seri stuhish në Europë dhe Lindjen e Mesme, duke përfshirë tornado dhe mot të keq që shkaktuan dëme serioze në vende si Italia, Portugalia dhe Arabia Saudite.

Protestat në Sllovaki: Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e Bratislavës për të kundërshtuar orientimin e qeverisë ndaj politikave pro‑ruse, duke reflektuar kështu tensionet politike në Europën Lindore.

Shkurt

Takimi SHBA‑Rusi në Riad: Washingtoni dhe Moska mbajtën bisedime në Arabinë Saudite për rritjen e bashkëpunimit dhe një rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, edhe pse pa praninë e delegacioneve ukrainase ose europiane, një lëvizje që ngriti shumë debate ndërkombëtare.

Konflikti në Republikën Demokratike të Kongos (DRC): Forcat rebele vazhduan ofensivën në juglindje të vendit. Civilë të vrarë dhe të plagosur u raportuan në rajonin e Iturit dhe Kivu.

Advertisement