Kronike
SHPERTHIM ME EKSPLOZIV NE LOKALIN E SHQIPTARIT NE ATHINE, DYSHIM PER LARJE HESAPESH
Një shpërthim i fuqishëm ka shkatërruar një lokal në pronësi të një shqiptari në zonën e Nea Jonias, në Athinë, mëngjesin e kësaj të marte.
Sipas gazetës greke “Protothema”, policia po kërkon dy persona që dyshohet se kanë lidhje me sulmin me eksploziv ndaj biznesit në rrugën “Sinopis”.
Kamerat e sigurisë së një biznesi tjetër kanë regjistruar shpërthimin, ndërsa hetuesit po mbledhin prova për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të sulmit.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në fasadën dhe ambientet e brendshme të lokalit, ndërsa vala goditëse ka dëmtuar edhe xhamat e bizneseve përreth.
Lokali ndodhet në një lagje me dendësi të lartë banimi, pranë një stacioni autobusi, ku ka lëvizje të këmbësorëve që në orët e para të mëngjesit.
Pas shpërthimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe specialistët e njësisë për neutralizimin e lëndëve eksplozive.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Nea Jonias, Panajotis Manuris, ka deklaruar se dyshon që sulmi lidhet me larjen e hesapeve, duke kujtuar se në të njëjtën zonë ka ndodhur edhe më parë një incident i ngjashëm.
Policia greke ende nuk ka konfirmuar motivin e sulmit, ndërsa mediat greke nuk kanë bërë publik identitetin e pronarit të lokalit.
