✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

KATER TE ARRESTUARIT/ RIKTHEHET NE VEMENDJE DOSJA E NXEHTE ‘HAKMARRJA PER DREJTESI’

Katër persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës këtë 24 nëntor, pasi u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Audi” të blinduar në zonën pranë stadiumit “Air Albania”.

Mes të arrestuarve është edhe Ilir Shyti, djali i Roland Shytit, i njohur në Lushnjë me nofkën “Mustaqekuqi” dhe i lidhur me dosjen e bujshme “Hakmarrja për Drejtësi”.

Në automjet ndodheshin gjithashtu Erion Rama, punonjës i Gardës së Republikës, si dhe dy efektivë të Forcave të Armatosura, Leonard Murataj, pjesë e repartit të Zall-Herrit, dhe Ernest Selmani, pjesë e repartit të Farkës.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur dy armë zjarri. Njëra prej tyre rezultonte e pajisur me leje nga reparti përkatës, ndërsa pistoleta tjetër mbahej pa leje.

Gjatë marrjes në pyetje, asnjëri prej katër personave nuk ka pranuar se kishte dijeni për armën pa leje dhe municionin që u gjet në automjet. Për këtë arsye, policia ka arrestuar Ilir Shytin, dy ushtarakët Leonard Murataj dhe Ernest Selmani, si dhe punonjësin e Gardës së Republikës, Erion Rama.

Sipas dëshmive të dhëna para hetuesve, Ilir Shyti ka deklaruar se tre efektivët e Gardës dhe Ushtrisë i kishte punësuar si truproje personale, ndërsa ka mohuar të kishte dijeni për praninë e armës pa leje në automjet.

overlay-cleverEdhe tre punonjësit e institucioneve shtetërore kanë dhënë të njëjtin version, duke pretenduar se nuk e dinin se kujt i përkiste pistoleta dhe se shërbenin si truproje të Shytit.

Kush është familja Shyti dhe çfarë përfaqëson dosja “Hakmarrja për Drejtësi”?

Emri i Ilir Shytit rikthen në vëmendje dosjen e njohur si “Hakmarrja për Drejtësi”, një prej proceseve më të gjata dhe më të diskutuara gjyqësore në Shqipëri, ku në mesin e personave të akuzuar në atë kohë ishte edhe babai i tij, Roland Shyti.

Çështja lidhej me një grup personash të dyshuar për përfshirje në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale gjatë periudhës 1992–2003, përfshirë vrasje, shpërthime me eksploziv, grabitje me armë dhe pengmarrje.

Mes ngjarjeve për të cilat u ngritën akuza ishin:

-Vrasja e ish-drejtorit të burgjeve, Bujar Kaloshi.

-Shpërthimi me eksploziv në supermarketin e kompanisë “Vefa”, ku humbën jetën katër persona.

-Vrasja e Genci Sinës, shofer i ish-prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.

-Rrëmbimi i fëmijës Erjon Nushi.

-Një sërë vrasjesh dhe grabitjesh të tjera të dyshuara me armë.

Procesi gjyqësor u zvarrit për afro tri dekada dhe u shoqërua me debate të shumta mbi vlefshmërinë e provave të administruara nga organi i akuzës.

Pafajësia e 10 të pandehurve pas 27 vitesh proces

Më 13 shkurt 2017, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shpalli të pafajshëm 10 të pandehurit në këtë dosje, mes tyre edhe Roland Shytin.

Vendimi u la në fuqi në shkurt të vitit 2023, kur Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Prokurorisë, duke vulosur përfundimisht pafajësinë e tyre dhe mbyllur një prej proceseve më të gjata në historinë e drejtësisë shqiptare.

Gjatë shqyrtimit të çështjes, një prej problematikave kryesore kishte qenë vlefshmëria e provave. Në vendimmarrjet gjyqësore ishin evidentuar probleme me disa prej tyre, përfshirë edhe një dokument për të cilin ekspertiza grafike kishte konstatuar falsifikim.

Kështu, dosja “Hakmarrja për Drejtësi”, e cila për vite me radhë ishte në qendër të vëmendjes publike për akuzat e rënda dhe zhvillimet e saj gjyqësore, u mbyll me vendimin përfundimtar të pafajësisë së 10 të pandehurve.

Advertisement