Connect with us

OPINION

A ka profesionistë ky vend? Covidin, ministria e regjistron me klasifikimin e vitit 1975

Në datën 19 nëntor Fondit i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor shpërndau udhëzimin mbi trajtimin ambulator të pacientëve me COVID-19. Përkundrejt përgëzimit për hedhjen e një hapi ta stërvonuar, nuk mund të mos bëjë përshtypje:

FSDKSH ende i kodon sëmundjet bazuar në sistemin ICD-9, një klasifikim i hartuar në vitin 1975 (45 vjet më parë). Nuk ka patur mundësi shteti shqiptar as të adoptojë klasifikimin ICD-10 të miratuar në vitin 1990, aq më pak modifikimin klinik të këtij klasifikimi (ai që përdoret në gjithë botën, madje edhe në Afrikë) i cili zbatohet prej vitit 2013?!

Pra në fushën e kodifikimit, sistemi shëndetësor shqiptar është ende në vitin 1975 duke humbur të paktën 3 ose 4 zhvillime të mëdha në këtë sektor!

Por ajo që çudit më tepër në protokoll është përfshirja në të e dy vitaminave – vitamina C dhe vitamina D. Siç mund të shikohet duke klikuar në dy link-et vijues, një nga institucionet më prestigjiozë ndërkombëtarë si National Institutes of Health në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk rekomandon as PRO dhe as KUNDËR përdorimit të vitaminave të tilla, pasi në rastin e COVID-it nuk ka asnjë evidencë për efektivitetin e tyre.

Është shumë e çuditshme se si ministria, komiteti dhe tashmë FSDKSH-ja kanë luksin të rekomandojnë vitamina për trajtimin e pacientëve me COVID, ndërkohë që qytetari paguan për testin COVID, analizat laboratorike, ekzaminimet imazherike, deri edhe për oksigjenin me të cilin trajtohet në kushte shtëpie.

Çdo ditë që kalon del edhe më e qartë se COVID-i nuk bëri asgjë tjetër veçse nxorri zbuluar paditurinë e thellë dhe amatorizmin e autoriteteve tona shëndetësore!

Të vazhdosh ende me kodimin e sëmundjeve sipas një sistemi 45 vjeçar dhe të mos jesh në gjendje të vlerësosh rolin e evidencës mjeksore në shekullin e 21-të janë dy dështime që nuk mund të fshihen lehtë!

Turp për ata që kanë marrë përsipër të menaxhojnë shëndetin dhe të mbrojnë jetën e qytetarëve shqiptarë!

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *