Connect with us

Kosova

Nga ‘Serbia mund të na sulmojë’, te ‘nuk ka luftë në Ballkan’/ Pse Kurti ndryshoi tonin

Së fundmi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konstatoi se në rajon nuk ka më apetit për luftë.
Në një intervistë për të përditshmen zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), Kurti potencoi se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor “nuk kanë më as vullnet, por as aftësi për dhunë ndër-shtetërore”.
Në kushte normale, kjo deklaratë e tij mund të shihej si një theksim i një fakti të njohur, bazuar në konjukturën aktuale të rajonit. Megjithatë, historiku i deklaratave të mëparshme të Kurtit mbi të njëjtën çështje e bën të pamundur një interpretim të tillë.
Për vite me radhë, Kurti në paraqitjet e tij publike, nuk i ka anashkaluar deklaratat ku potenconte se Serbia ka ambicie për të sulmuar Kosovën.
“Serbia ka 48 baza ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, nga të cilat 28 janë baza të ushtrisë dhe 20 të xhandarmërisë”, ishte një ndër deklaratat më tipike të Kurtit, i cili argumentonte se militarizimi i kufirit po e rrit rrezikun e eskalimit.
Sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë, Kurti vazhdimisht paralajmëronte për rrezik nga Serbia, duke theksuar në vazhdimësi se Beogradi po grumbullonte trupa pranë kufirit dhe se ekziston rrezik i destabilizimit.
Sipas tij Serbia ishte rrezik permanent për vendin, veçanërisht për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me Rusinë dhe përpjekjeve të Moskës për të destabilizuar rajonin, duke vendosur në lajthitje vëmendjen e Perëndimit pas agresionit në Ukrainë.
Nuk është e qartë se çfarë e ka shtyrë Kurtin të ndryshojë tonin, duke kaluar nga paralajmërimet e vazhdueshme për rrezikun nga Serbia në konstatimin se në rajon nuk ka më apetit për luftë, por diçka është e qartë: deklaratat e tij të mëparshme mbi mundësinë e një konflikti shkaktuan frikë te qytetarët dhe trembën investitorët potencialë ekonomikë.

 

Advertisement