✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

TENDERA, RESTORANTE DHE ULLISHTA/ LALA: HETIMET NDAJ SPIROPALIT PER PASTRIM PARASH

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje mbi hetimin penal të regjistruar nga SPAK ndaj familjarëve të Elisa Spiropalit, duke bërë të ditur se në fokus janë dyshimet për korrupsion, fshehje pasurie, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera.

Sipas Lalës, hetimi ka nisur në muajin gusht, ndërsa procedimi penal është regjistruar në fund të muajit tetor. Në këtë fazë, ajo theksoi se ende nuk ka persona të marrë zyrtarisht nën hetim, por prokurorët po shqyrtojnë edhe rolin e vetë Elisa Spiropalit dhe nëse ajo ka pasur përfshirje në transaksionet apo procedurat e dyshuara.

Lala bëri të ditur se hetimi përfshin bashkëshortin e Spiropalit, Salarjon Totaj, dhe dy kunatat e saj. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me disa tendera në Ujësjellësin e Kanalizimeve në Fier, institucion që në atë periudhë drejtohej nga bashkëshorti i ish-ministres.

Në këtë kuadër, sipas gazetares, SPAK po shqyrton edhe aktivitetin e kompanisë Solomon Construction, të themeluar nga Enki Spiropali, vëllai i Elisa Spiropalit. Kompania ka fituar tendera në Ujësjellësin e Fierit gjatë kohës kur institucioni drejtohej nga Salarjon Totaj. Hetuesit po verifikojnë nëse ka pasur favorizime dhe konflikt interesi.

Një tjetër pistë lidhet me një restorant në zonën e ish-Bllokut, në pronësi të bashkëshortit të Spiropalit. Sipas Lalës, prokurorët po verifikojnë dyshimet për pastrim parash, pasi të ardhurat e deklaruara apo të evidentuara nga hetimet paraprake nuk përputhen me kapacitetin e mundshëm ekonomik të biznesit.

Gazetarja përmendi gjithashtu një ullishte me sipërfaqe 19 hektarë në zonën e Patosit, të marrë për një periudhë 19-vjeçare nga familja e Spiropalit, si një tjetër element që po vlerësohet nga hetuesit.

Lala theksoi se SPAK ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm dokumentesh që lidhen me familjarët e Spiropalit dhe se në kallëzim kërkohet verifikimi edhe i personave të tjerë, për të sqaruar marrëdhëniet dhe rolin e tyre në çështje.

Në përfundim, gazetarja nënvizoi se hetimet janë ende në fazë fillestare dhe se do të duhet kohë për të përcaktuar nëse dyshimet dhe pretendimet e ngritura do të provohen.

“Lala: Unë mendoj që modeli i Spiropalizmit në politikë është më i shëmtuari. Por, pavarësisht kësaj, edhe pse Spiropali ka qëndruar në poste të rëndësishme, fakti që ajo po flet tregon se si janë deformuar partitë politike. SPAK ka çelur një hetim penal për veprat penale që përfshijnë Elisa Spiropalin, bashkëshortin Salarjon Totaj dhe dy kunatat e saj, për korrupsion, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera. Ka pasur një hetim të detajuar. Ka pasur kontrolle nga tatimet te bizneset e zonjës Spiropali. Ka të dhëna edhe për disa tendera në Ujësjellësin e Kanalizimeve në Fier, ku ky institucion drejtohej nga bashkëshorti i zonjës Spiropali.

Ende nuk kemi persona nën hetim. Burime nga SPAK bëjnë me dije se po hetohet edhe zonja Spiropali. Në SPAK po kalon në shqyrtim një biznes i Salarjon Totajt, një restorant në zonën e ish-Bllokut, ku prokurorët po hetojnë për pastrim parash, pasi biznesi nuk mund të gjeneronte aq shumë të ardhura sa dalin nga hetimet paraprake.

Hetimi ka filluar në muajin gusht. Është dashur kohë që SPAK të pranonte se ka vepër penale dhe se ka vend për të hetuar edhe ndaj zonjës Spiropali. Në rastin konkret, dyshimet janë se në këtë veprimtari është e përfshirë edhe zonja Spiropali.

Një tjetër element është një kompani tjetër, Solomon Construction, që është themeluar nga Enki Spiropali, vëllai i Elisës. Kjo kompani ka fituar tendera në UKF, kur ky institucion drejtohej nga Salarjon Totaj. Janë duke u parë jo vetëm favorizimet në tendera, por edhe konflikti i interesit, për sa kohë një familjar i Spiropalit duhet të deklaronte fillimisht konfliktin e interesit.

Momenti i tretë që po vlerësohet ka të bëjë me një ullishte prej 19 hektarësh në zonën e Patosit, që është marrë për 19 vjet nga ana e familjes së zonjës Spiropali.

Hetimet mund të tregojnë një panoramë tjetër. Duhet thënë se në këto momente që po diskutojmë, në kontekstin e përplasjes mes Ramës, Spiropalit dhe Ballukut, prokurorët e SPAK kanë sekuestruar një mori dokumentesh që kanë lidhje me familjarët e zonjës Spiropali.

Në kallëzim nuk kërkohet vetëm hetimi i zonjës Spiropali, por edhe i disa emrave të tjerë. Po shihet roli i tyre dhe marrëdhënia e tyre me Elisa Spiropalin. Hetimet sapo kanë nisur. Regjistrimi i procedimit është bërë në fund të muajit tetor. Është një çështje që do të marrë kohën e saj, për të parë nëse pretendimet e ngritura në hetim qëndrojnë apo jo.”

Advertisement