Bota
Irani nis kundërpërgjigjen ndaj sulmit të SHBA-së dhe Izraelit, regjimi iranian lëshon raketa drejt shtetit hebre
Forcat e armatosura izraelite kanë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit. Sirena po dëgjohen në veri, dhe qytetarëve u është urdhëruar të shkojnë në strehimore.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj Iranit këtë të shtunë në atë që e cilësuan si ‘sulm parandalues’. Njoftimin e bëri ministri i mbrojtjes, Israel Katz teksa shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, për shkak të pritjes së një kundërpërgjigje nga Irani me dronë dhe raketa balistike.
Sirena dhe shpërthime të forta raportohet se janë dëgjuar në Teheran. Sulmi vjen në kohën kur tensionet në Iran janë të larta pas përfshirjes nga protestat kundër regjimit.
Presidenti amerikan Donald Trump vazhdimisht ka kërcënuar se po shqyrton një ndërhyje ushtarake nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje për programin bërthamor.
Sulmi që po zhvillohet kundër Iranit do të jetë më i gjerë krahasuar me bastisjet ajrore të qershorit ndaj impianteve bërthamore iraniane. Kështu raporton The Neë York Times, duke cituar zyrtarë të administratës amerikane.
Presidenti Donald Trump konfirmoi në një video të publikuar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kishin nisur një fushatë ushtarake në Iran.