Aktualitet
LUFTA/ ABSURDI SHQIPTAR, ULET NAFTA POR RRITET VAJI
Në mbledhjen e parë të zhvilluar, Bordi i Transparencës vendosi që çmimi tavan i naftës të jetë 203 lekë për litër në të gjitha pikat e shitjes me pakicë, ndërsa benzina do të tregohet jo më shumë se 175 lekë për litër
Por teksa vazhdon lufta në Iran, në tregun vendas po vihet re rritja e çmimeve për produktet ushqimore, e ndikuar nga shtrenjtimit e furnizimeve të importuesve.
Shtrenjtimi i lëndëve djegëse për rafineritë e përpunimit të vajit të lulediellit jashtë dhe tarifat për transport kanë sjellë që përgjatë muajit mars importuesit vendas të shtrenjtojnë çmimin e shitjes me shumicë të vajit ushqimor nga 7-8%.
Gjatë muajit shkurt, periudhë para nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, sipas importuesve vaji i lulediellit tregtohej me çmim shumice nga 176 deri 178 lekë për litër.
Duke nisur nga java e tretë e muajit mars importuesit pohojnë se kanë qenë të detyruar të rrisin çmimin me rreth 5 lekë për litër, duke e çuar 182 deri 183 lekë për litër.
Nga fillimi i javës së fundit të muajit mars, importuesit e vajit të përpunuar që ambalazhohet në vend, thonë se do të ketë edhe një tjetër shtrenjtim të çmimit me 7 lekë të tjera për litër.
Pas këtyre rritjeve, çmimi më shumicë i vajit ushqimor arrin 190 lekë për litër.
Ekspertët nënvizojnë se mungesa e prodhimit të vajit ushqimor vendas tregoi edhe një herë se ekonomisë shqiptare i mungoi amortizatori kryesor për të frenuar inflacionin e çmimit.
Shqipëria ka pasur dy rafineri të përpunimit të vajit, fabrikën e kompanisë “Olim” dhe të shoqërisë “Vajra bimore” që tregtonte vajin “Fiol”, por aktualisht asnjë prej tyre nuk importon vaj të papërpunuar (grexho) dhe ta rafinojë atë duke e kthyer në vaj ushqimor. Prej 2016, prej gati 1 dekade kompanitë përpunuese janë kthyer në ambalazhues të vajit të përpunuar të importit.