Kronike
Në kërkim nga SPAK për vrasje, publikohet fotoja e “Çoke qorrit”, krahut të djathtë të Inez Hajrullës!
Ervis Matodashaj, i njohur si “Çoke qorri”, rezulton në kërkim nga SPAK si person i lidhur ngushtë me Inez Hajrullën, i identifikuar nga hetimet si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal në Vlorë.
Më 7 mars Matodashaj dhe Hajrulla i shpëtuan arrestimit gjatë një operacioni të urdhëruar nga SPAK. Hajrulla konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ndër vite ka qenë disa herë objekt atentatesh.
Rasti i parë i përmendur në këtë histori daton në vitin 2017, kur ndaj Hajrullës u tentua një sulm me tritol. Ngjarja ndodhi në një lokal në Vlorë, zonë që njihej edhe si vend i frekuentuar nga Edison Harizaj, i vrarë më pas në Durrës në vitin 2018.
Një tjetër atentat ndaj Hajrullës u regjistrua në vitin 2019. Në atë kohë ai ndodhej me Ervis Matodashajn në zonën e njohur si “7 pallatet Oslo”, kur u qëllua me breshëri armësh.
Nga të shtënat mbeti i plagosur rastësisht Dajko Canodemaj, i cili ishte duke pirë kafe. Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe më pas dogjën automjetin në Babicë të Vogël.
Në gusht të vitit 2023, hetimet zbuluan një tjetër plan për goditjen e Hajrullës dhe Matodashajt. Policia arrestoi në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë 35-vjeçarin Amarildo Nikolli, i cili mbante një pistoletë me silenciator, fishek në fole, municion luftarak, si edhe doreza e kapuç në çantë.
Sipas hetimeve, objektivi i dyshuar i atentatit ishin pikërisht Hajrulla dhe Matodashaj.
Për këtë ngjarje, Leonard Luzi u ekstradua nga Spanja në korrik 2024. Ai rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO, bashkë me dy persona të tjerë të përfshirë në planin për eliminimin e Hajrullës. Luzi u dënua me 11 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul në 7.4 vite.
Amarildo Nikolli është dënuar me 2.9 vite burg, ndërsa Muharrem Koroveshi me 6.8 vite burg.
Çështja mbetet pjesë e hetimeve të SPAK për aktivitetin kriminal në Vlorë dhe për personat që dyshohet se kanë rol në këto ngjarje.