Connect with us

Bota

SHBA dhe Irani shpallin fitore, por tensionet rrezikojnë përshkallëzim të luftës

Pas rrëzimit të një avioni luftarak amerikan dhe operacionit të rrezikshëm për shpëtimin e një anëtari të ekuipazhit në Iran, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Irani po e paraqesin zhvillimin si një fitore, shkruan New York Times.
Sipas të përditshmes amerikane, media shtetërore iraniane publikoi fotografi të avionit të rrëzuar, duke e cilësuar ngjarjen si një sukses ushtarak, ndërsa zyrtarë të lartë në Teheran folën për një “fitore” ndaj forcave amerikane.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump theksoi suksesin e operacionit të shpëtimit, duke e cilësuar ndërhyrjen si një mision të rrallë dhe shumë të rrezikshëm.
Sipas NYT-së, fakti që të dyja palët ndihen të inkurajuara nga zhvillimet e fundit e bën situatën edhe më të brishtë dhe të paparashikueshme.
“Që nga ky moment, lufta mund të bëhet edhe më e rrezikshme”, citohet të ketë thënë Ali Vaez nga International Crisis Group, duke theksuar se mungesa e një avantazhi të qartë për njërën palë zvogëlon gjasat për një zgjidhje diplomatike.

Situata komplikohet më tej nga ultimatumet e fundit të SHBA-ve. Washingtoni ka paralajmëruar goditje ndaj infrastrukturës kritike iraniane nëse nuk arrihet një marrëveshje ose nuk hapet Ngushtica e Hormuzit për trafikun detar.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të çojë në sulme reciproke ndaj infrastrukturës strategjike në rajon, duke rrezikuar miliona civilë dhe duke ndikuar në ekonominë globale, shkruan më tej NYT.
Në këtë kontekst, zhvillimet e fundit nuk përfaqësojnë vetëm një episod ushtarak, por një pikë kthese që mund të përcaktojë drejtimin e konfliktit në ditët në vijim.

Advertisement